114 mijë dosje në pritje të gjykimit, KLGJ me strategji për uljen e ‘backlog’. Wisner: Duhet të ndërmerrni hapa më të vështirë

20 Maj 2024, 14:04Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
KLGJ me strategji për uljen e ‘backlog’

Është prezantuar këtë të hënë nga KLGJ strategjia kombëtare për të luftuar fenomenin që është shndërruar në problemin kryesor të dhënies së drejtësisë në vend, dosjet e prapambetura që presin për gjykim. Rreth 114 mijë dosje janë në pritje për t’u gjykuar dhe kjo kërkon lëvizje urgjente dhe të forta. Para drejtuesve të KLGJ-së, përfaqësuesve të Qeverisë dhe të organizatave ndërkombëtare në Tiranë pikat kryesore të strategjisë e prezantoi Ardian Dvorani, i shpallur edhe nga SHBA-të si personazh i spikatur në luftën kundër korrupsionit. Dvorani përmendi ndryshime të rëndësishme ligjore në Kodin e Procedurës Penale, atë të Procedurës Civile, ligjin për çështjet administrative si dhe ligjin për organizimin e gjyqësorit.

“Sipas mendimit tonë secila prej këtyre nismave ligjvënëse do të japë një impakt pozitiv në uljen e çështjeve të prapambetura nëse do të miratohen të gjitha së bashku, në koordinim me një tjetra”, tha Dvorani. 

Një prej ndryshimeve më të rëndësishme është rritja e gamës së çështjeve që mund të gjykohen në shkallën e apelit me një gjyqtar të vetëm, çështje penale, civile dhe administrative.  Në rastet e gjykimeve penale, propozohet zgjerim kur gjykata mund të shqyrtojë me trupe gjykuese me një gjyqtar për vepra penale që parashikojnë dënim me gjobë dhe deri në burgim deri në 2 vite. Këto kategori çështjesh përbëjnë 15% të dosjeve.  

Gjithashtu Dvorani tha se tjetër masë pritet të jetë zgjerimi i rasteve administrative që nuk mund të ankohen në Apel.  Mund të përfshihen kontratat administrative, marrëdhëniet e punës dhe shërbimit civil për vlera të caktuara.

Një ndryshim tjetër shumë i rëndësishëm është ndryshimi i procedurave dhe kompetencave për urdhrat e ekzekutimit, të cilat përbëjnë 30-35% të çështjeve që gjykohen në shkallë të parë. Nga ana tjetër kërkohen ndryshime ligjore për përmirësimin e kompetencave vendimmarrëse të organeve drejtuese të gjykate, me qëllim arritjen e efektivitetit. Kjo do të realizohet përmes ndryshimeve në ligjin për organizimin e gjyqësorit. Gati dyfishim të ndihmësve ligjorë kërkojnë gjyqtarë si një tjetër masë për uljen e dosjeve, rekrutim i cili të mos bëhet më me kushtin që të kenë mbaruar magjistraturën.

Futja e teknologjisë si dhe nevoja urgjente për ambiente është një tjetër kërkesë e sistemit të drejtësisë

“Në planin afatshkurtër dhe afatmesëm duhet që nga qeveria dhe pushteti vendor duhet të mendojë për ambiente në mënyrë urgjente. Mund të ishte një mundësi edhe gjetja e ambienteve me qira”

Edhe kryetarja e KLGJ Llagami kërkoi mbështetjen dhe angazhimin e të gjithëve, aktorëve politikë dhe të drejtësisë, si atëherë kur u miratua reforma në drejtësi.

“Backlog nuk është thjesht një problem i yni, i KLGJ-së apo i atyre gjykata që, por problem kombëtar i aksesit në drejtësisë. Që kërkon të njëjtën frymë bashkëpunimi si ditën kur të gjithë aktorët e shoqërisë sonë miratuan reformën në drejtësi”

Mbështetjen për strategjinë dhe implementimin e saj e garantuan edhe partnerët ndërkombëtarë.  

“Të gjithë ju keni një punë të vështirë, se duhet ta pranojmë këtë dhe për të bërë përpara është e rëndësishme që ju keni nisur ta bëni. Ky është hapi i parë dhe ndërsa ne jemi duke hyrë në këtë stinë olimpike dhe kur mendon për Shqipërinë është njësoj sikur jeni duke u përpjekur të kaloni nga një person, i cili thjesht qëndron ulur në një kolltuk në një atlet olimpik. Është një kohë e shkurtër kur mendohet. Ju keni një punë të vështirë dhe të gjithë keni bërë një punë të jashtëzakonshme, por tani mbetet shumë për t’u bërë, ne jemi krenarë si amerikanë dhe si ambasada e SHBA-së këtu se bashkëndajmë vlerat e përbashkëta të demokracisë, të të drejtave të njeriut e sundimit të ligjit”, tha David Ëisner, i ngarkuari me punë në ambasadën e SHBA në Tiranë.  

“Të garantojmë që kjo situatë të mos përsëritet”, apeloi Giulia Re, përfaqësuese e Këshillit të Evropës.
Nga ana tjetër mazhoranca garantoi mbështetjen  pa rezerva duke e pasur shumë të qartë se cila është detyra e saj.

 

Video