Atentati me tritol në Sarandë, shpërthimi me telekomandë, ja lidhjet e viktimës

5 Tetor 2025, 00:11Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Viktima Isuf Jacaj

Një shpërthim tritoli ka tronditur mbrëmjen e kësaj të shtune qytetin e Sarandës, duke i marrë jetën një personi.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:50, në lagjen nr. 3, ku një automjet tip Toyota është hedhur në erë me lëndë eksplozive.

Sipas policisë, eksplozivi ishte vendosur në automjetin në pronësi të Isuf Jacajt, i cili ndodhej në mjet në momentin e shpërthimit dhe për pasojë ka humbur jetën.

Isuf Jacaj është babai i 31-vjeçarit Klaus Jacaj, aktualisht i arrestuar për “përkrahje të autorit të krimit” në lidhje me ngjarjen e datës 17 korrik 2025, kur Ramadan Zoto plagosi me armë zjarri në lagjen nr. 4 të Sarandës shtetasit Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamaj nga Kamza.

Shpërthimi i mbrëmjes së sotme ka qenë jashtëzakonisht i fuqishëm dhe është dëgjuar në të gjithë qytetin bregdetar, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.

Në vendngjarje ndodhen forca të shumta policie dhe grupi hetimor, të cilët po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.

Policia njofton se janë duke u kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale për dokumentimin ligjor të atentatit që ka tronditur Sarandën këtë mbrëmje.


Video