Mediat shkelin Konventën Europiane kur intervistojnë të miturit pa praninë e prindërve

5 April 2022, 20:13Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Mediat shkelin Konventën Europiane kur intervistojnë të miturit

Gazetarët dhe mediat shkelin të drejtën e privatësisë dhe të drejtën familjare kur intervistojnë të miturit pa praninë dhe pa pëlqimin e prindërve të tyre.

Ky është vendimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që u vu në lëvizje pas denoncimit të një familjeje rumune. Djali i tyre i mitur ishte pjesë e një ekskursioni në 2012, ku tragjikisht vdiq një prej nxënësve.

Incidenti tërhoqi vëmendjen e mediave dhe njëra prej tyre intervistoi me radhë të miturit pa praninë e mësuesve, pa praninë e prindërve dhe pa miratimin e asnjërit prej tyre. Intervista u transmetua brenda asaj dite.

Prindërit paditën në gjykatat vendase kanalin televiziv duke kërkuar dëmshpërblim për shkak se nuk kishin dhënë miratimin e tyre mbi një intervistë që kishte dhënë fëmija e tyre. Gjykatat vendase e rrëzuan këtë pretendim duke deklaruar se çështja kishte të bënte me interesin publik dhe gazetari gëzonte lirinë e medias për të publikuar lajmin dhe njoftuar publikun.

Vendimi i gjykatave rumune u apelua në Strasburg. Kjo gjykatë vuri në peshore nga njëra anë të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare dhe në anën tjetër interesi publik dhe e drejta e informimit.

Pasi analizoi të gjitha provat e paraqitura nga palët, Strasburgu i dha të drejtë të parës, duke vendosur se ajo prevalon mbi interesin publik në rastet e të miturve, intervistimi i të cilëve nuk mund të realizohet pa praninë dhe autorizimin e prindërve të tyre.

Sipas Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në këtë rast ishte shkelur neni 8 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut që ka të bëjë me të drejtën private dhe familjare dhe vendosi gjobitejn e kanalit televiziv dhe dëmshpërblimin e familjes rumune të prekur nga ky episod.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video