Video/ Publikohen pamjet e tragjedisë në Athinë ku humbën jetën 3 shqiptarë! (Hajdutët vodhën tubat e gazit)

30 October 2026, 09:12Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Video/ Publikohen pamjet e tragjedisë në Athinë ku humbën

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga shpërthimi tragjik në zonën e Plakës, në Greqi, ku gjashtë persona humbën jetën, mes tyre 3 shqiptarë.

Pas një hetimi 34-ditor, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Zjarrvënies pranë Shërbimit Zjarrfikës ka identifikuar dhe arrestuar tre persona, dy grekë dhe një shqiptar, të dyshuar si përgjegjës për ngjarjen.

Sipas të dhënave të hetimit, disa orë përpara shpërthimit, tre të dyshuarit iu afruan ndërtesës me qëllim vjedhjen e materialeve prej bakri. 

Dy prej tyre dyshohet se hynë brenda pallatit dhe u drejtuan drejt një shkalle të mbyllur, ku ndodheshin instalimet e gazit natyror. Gjatë përpjekjes për të shkëputur tubacionet, ata dyshohet se prenë një prej tubave të furnizimit, duke shkaktuar rrjedhje gazi.

Gazi natyror u përhap gradualisht në ambientet e ndërtesës dhe u grumbullua në katin e dytë, ku banonte një çift të moshuarish.

Hetuesit dyshojnë se shpërthimi ndodhi në momentin kur gruaja u ngrit dhe mund të ketë aktivizuar një çelës elektrik, duke shkaktuar ndezjen e gazit të grumbulluar. Megjithatë, ky mekanizëm mbetet një nga pistat që po shqyrtojnë autoritetet.

Klikoni KËTU për të parë VIDEON:

Ndërkohë, janë publikuar edhe pamje të shpërthimit, ku dallohen flakët që përfshijnë njëkohësisht katet e sipërme dhe pjesën e poshtme të ndërtesës. Pamjet tregojnë përmasat e ngjarjes dhe përhapjen e zjarrit në disa nivele të pallatit.

Një tjetër detaj që ka dalë nga pamjet lidhet me një automjet që transportonte nxënës, i cili kishte kaluar pranë ndërtesës vetëm pak çaste përpara shpërthimit.

Automjeti shihet në afërsi të pallatit, ndërsa koha e kalimit të tij tregon se pasojat mund të kishin qenë edhe më të rënda nëse do të ndodhej aty në momentin e shpërthimit.

Hetimet, të zhvilluara nën mbikëqyrjen e autoriteteve të prokurorisë, kanë çuar në identifikimin e tre të dyshuarve, të cilët akuzohen se ndërhyrja e tyre në instalimet e gazit shkaktoi rrjedhjen që i parapriu tragjedisë./Protothema


Video