"Unë jam 85-a, 84-a ishte aty për planin“ - Çfarë "plani të poshtër" prishi Erion Braçe në Kuvend?

10 October 2026, 16:40Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

"Unë jam 85-a, 84-a ishte aty për planin“ -

Deputeti socialist Erion Braçe kritikoi kryeministrin Edi Rama në reagimin e tij të gjatë, ku shpjegoi pse u detyrua të votonte pro për ndarjen e re territoriale.

Ai e ka akuzuar kryeministrin se e ka pasur të vështirë të ndajë pushtetin dhe të mbajë përgjegjësi për gabimet e bëra gjatë qeverisjes. Në reagimin e tij, Braçe thekson se Rama duhet t’i pranojë gabimet si përgjegjësi personale dhe të mos ia faturojë ato vetëm ministrave apo drejtuesve që ka pasur pranë.

Braçe shprehet se kryeministri e ka përdorur pushtetin për të sjellë ndryshime pozitive, por edhe e ka shpërdoruar atë përmes emërimeve të personave që, sipas tij, nuk kanë qenë të denjë për detyrat e tyre. Ai kërkon që pushteti të mos trajtohet si pronë personale, por të ndahet në përputhje me Kushtetutën, duke respektuar pavarësinë dhe funksionimin e institucioneve.

”Edi Rama e ka të lehtë të njoftojë rrugën time ose siç thonë disa rreth tij se çfarë më pret mua. Por unë mendoj që e ka të vështirë të lëshojë pushtet.

Ai është i dashuruar me pushtetin, fuqinë e autoritetin që ai jep; e ka përdorur për mirë shpesh duke bërë mirë e sjellë ndryshime të mëdha në këtë vend; e ka deleguar po për mirë, siç e ka shpërdoruar në mënyrë të përsëritur në ministra e drejtorë të padenjë; ka bërë gabime-të rënda disa, që duhet t’i pranojë nominalisht si të tijat, jo thjesht si të të gjithë atyre që nuk paskan qenë të denjë përkrah tij, në rrugën e tij. Të marrë e mbajë përgjegjësi. 

Të japë një shenjë që pushtetin nuk e ka personal, nuk e ushtron si të tijin, por e ndan siç kushtetuta e ka caktuar, me pushtete të tjera të ligjshme e sovrane, të pavarura e që duhet të jenë funksionale, deri në fund, të pacenuara apo përgjysmë si vullnet disiplinues i mazhorancës të zbehur në njoftime, qoftë edhe si hartë.”, shprehet Braçe.

Braçe ndërkohë, pretendon se vendimi i tij ka prishur një plan të brendshëm politik, të cilin e cilëson si “të poshtër”.

“Nuk di në keni parë tjetër që të sulmohet e të qëndrojë, të linçohet e të rrijë përballë, t’i shkojnë atje ku jeton e atje ku punon-po bën punën, dhe të dëgjojë e përgjigjet, me kosto shumë të madhe personale e familjare; keni parë? Ndaj vendosa të rri dhe të bëj punën.

E di që kam prishur një plan që politika e ka të sajin, të brendshëm, të poshtër, të përhershëm, por nuk mund të bëj pa të, ndaj për Nesti numëruesin dhe numëruesit e tjerë unë jam 85-a, 84-a ishte aty për planin“, tha ndër të tjera Braçe, pa shpjeguar më shumë, se çfarë plani të poshtër brenda vetë socialistëve paska prishur dhe kush është 84-a.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video