
Shqipëria ka marrë miratimin paraprak nga Bashkimi Europian për mbylljen e përkohshme të negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me “Ndërmarrjet dhe Politikën Industriale”. Zhvillimi shënon një tjetër hap përpara në procesin e integrimit europian të vendit.
Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së (COREPER) ka miratuar mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Takimi është parashikuar të zhvillohet më 13 tetor në Luksemburg, ku pritet të zyrtarizohet edhe avancimi i Shqipërisë në këtë kapitull të negociatave.
Vendimi është përshëndetur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale e ka cilësuar këtë zhvillim si një sinjal pozitiv për rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sipas Ramës, përparimi në Kapitullin 20 krijon perspektiva më të mira për investimet, inovacionin, rritjen e konkurrueshmërisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Drita jeshile nga BE për mbylljen e negociatave të Kapitullit 20 forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim”, deklaroi kryeministri.
“Kapitulli 20 përfshin politikat dhe instrumentet që synojnë krijimin e një mjedisi më konkurrues, inovativ dhe të qëndrueshëm për biznesin. Në fokus të tij janë mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimeve dhe forcimi i aftësisë së ekonomisë për t’u integruar në Tregun e Vetëm Evropian.
Ky kapitull përfshin gjithashtu masa për inovacionin, digjitalizimin, tranzicionin e gjelbër, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat, në përputhje me politikat dhe praktikat më të mira evropiane.
Mbyllja e përkohshme e negociatave për këtë kapitull do të konfirmojë përparimin e Shqipërisë në ngritjen e kuadrit strategjik, institucional dhe rregullator për zbatimin e politikave industriale dhe të zhvillimit të sipërmarrjes, në përputhje me orientimet e Bashkimit Evropian.
Ky rezultat përbën një sinjal të rëndësishëm besimi për investitorët, komunitetin e biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për qytetarët dhe bizneset shqiptare, ai krijon perspektiva më të mira për investime, inovacion, rritje ekonomike dhe punësim, duke e afruar ekonominë shqiptare me mundësitë që ofron Tregu i Vetëm Evropian.
Me formalizimin e këtij hapi më 13 tetor, Kapitulli 20 do të jetë kapitulli i katërt i negociatave që Shqipëria mbyll përkohësisht brenda tre muajve.
Vendimi përcjell një mesazh të qartë të mbështetjes politike për ecurinë e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit dhe të besimit në aftësinë e institucioneve shqiptare për të avancuar me ritëm të qëndrueshëm drejt objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.
Shqipëria mbetet e angazhuar për të vijuar reformat me të njëjtin vullnet dhe përkushtim, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet evropiane dhe shtetet anëtare”, njofton Kryeministria.