Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur sërish mbështetjen e tij për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, vetëm një ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit në Izrael.
Përmes një mesazhi në rrjetin social Truth Social, Trump u ka bërë thirrje qytetarëve izraelitë të votojnë Netanyahun, duke vlerësuar udhëheqjen e tij dhe bashkëpunimin e ngushtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në përballjen me Iranin.
“Kur të shkoni në qendrat e votimit, mos harroni se Bibi ishte një kryeministër luftëtar i jashtëzakonshëm”, shkroi Trump, duke iu referuar Netanyahut me nofkën e tij të njohur.
Presidenti amerikan e përfundoi mesazhin me një thirrje të drejtpërdrejtë: “Votoni për Bibi Netanyahun si kryeministër. Ne duhet ta përfundojmë punën që filluam”.
Trump vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin ushtarak mes Uashingtonit dhe Tel Avivit, duke përmendur operacionet kundër Iranit, të njohura si “Midnight Hammer” dhe “Epic Fury”.
Sipas presidentit amerikan, këto operacione kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në kapacitetet ushtarake dhe ekonominë iraniane.
Kjo është hera e dytë brenda një jave që Trump shpreh publikisht mbështetjen për Netanyahun.
Më 18 tetor, ai deklaroi se kryeministri izraelit kishte mbështetjen e tij të plotë dhe absolute, duke e cilësuar një udhëheqës të fortë gjatë luftës dhe një partner të rëndësishëm strategjik të Shteteve të Bashkuara.
Izraelitët pritet t’u drejtohen kutive të votimit të martën, më 27 tetor, në zgjedhjet e para parlamentare që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe konfliktet që pasuan në Gaza, Liban dhe Iran.