Detaje të reja dalin në dritë lidhur me konfliktin e dhunshëm në stërvitjen e Real Madridit mes Federico Valverdes dhe Aurelien Tchouamenit.
Pas tensionit të nisur të mërkurën për shkak të një ndërhyrjeje të ashpër, situata degjeneroi të enjten kur Valverde refuzoi t’i jepte dorën francezit dhe u hakmor me një ndërhyrje gjatë stërvitjes.
Përpjekja e trajnerit Álvaro Arbeloa për të qetësuar gjakrat duke i vendosur në të njëjtën skuadër dështoi, pasi fyerjet vazhduan deri në ambientet e brendshme ku lojtarët u përplasën fizikisht.
Sipas asaj që raporton “RMC Sport”, si pasojë e goditjeve, Valverde pësoi një çarje në kokë dhe humbi ndjenjat për disa sekonda, duke u dërguar me urgjencë në spital nga vetë Arbeloa.
Klubi i Real Madridit ka njoftuar se ka nisur një hetim dhe se do të ndërmarrë masa disiplinore të rënda për të dy futbollistët.
Kjo krizë vjen në momentin më të keq të mundshëm, vetëm pak ditë para “El Clasicos”, ku Barcelonës i mjafton një pikë për të siguruar titullin kampion.