UEFA ka dënuar Federatën e Futbollit të Kosovës për incidentet e shumta gjatë ndeshjes me Rumaninë me shumën prej 61 mijë euro.
FFK është gjobitur për shkelje të ndryshme e të shumta gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve të UEFA-s të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Hyrja e shikuesve të shumtë në fushë, hedhja e sendeve, ndezja e fishekzjarrëve, fishkëllimat gjatë himnit të Rumanisë, bllokimi i rrugëve publike, ishin prej shkeljeve të regjistruara në ndeshjen që Rumania e fitoi 3-0.
Për hyrjen e shikuesve në fushë, përkatësisht për pushtim të fushës, FFK-ja është gjobitur me plot 10 mijë euro. Për hedhje të sendeve, FFK-ja do të paguajë 22 mijë euro.
Për fishekzjarrë të ndezur, buxheti i FFK-së do të pakësohet për 6 mijë euro.
Për shkak të fishkëllimave të tifozëve gjatë intonimit të himnit të Rumanisë, Federata e Futbollit e Kosovës do të paguaj dënim prej plot 15 mijë euro.
Ndërsa për bllokim të rrugëve publike, përkatësisht për qëndrimin e shikuesve në pjesën e tribunave të destinuara për lëvizjen e tyre, FFK-ja do të paguajë 8000 euro.