U përjashtua nga grumbullimi, Zhegrova: Vendimi nuk u mor nga trajneri, por nga Federata, kjo më nervozoi

26 Shtator 2024, 16:54Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edon Zhegrova

Sulmuesi Edon Zhegrova, ka folur për herë të parë, pas përjashtimit nga grumbullimi i Kosovës, në ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Zhegrova tha se vendimi nuk u mor nga trajneri, por nga Federata e Futbollit të Kosovës. Sipas tij, lajmet se kishte qenë në lokal nate, ishin të rreme, pasi arsyeja ishte vonesa në mbledhjen e ekipit.

“Nuk ishte trajneri ai që e mori vendimin, por ishte Federata. Kjo ishte arsyeja që më nervozoi. Janë disa njerëz që nuk të duan dhe flasin keq për ty. E njoh veten sesa profesionist jam. Pashë lajme që thanë se kam shkuar në lokal nate. Unë nuk jam ky. Nëse do të kishte ndodhur, do të kishin dalë foto ose video. Kanë qenë lajme të rreme. Gjëja më e keqe është se vendimin nuk e mori trajneri, por e mori FFK-ja. Unë u vonova pak. Mendoj se nëse vonohesh në mbledhje, vendimin e merr trajneri dhe jo Federata. Megjithatë tani ka kaluar dhe nuk ka rëndësi për mua”, deklaroi Zhegrova.

Përjashtimi i Zhegrovës, së bashku me Muric dhe Muslijën, erdhi pas ndeshjen me Rumaninë, ku Kosova u mposht 3-0 në shtëpi. 

Video