9 përballje të tjera të Europa League zhvillohen këtë të enjte, ku do të mbyllet dhe java e parë e kompeticionit, ndërsa në fushë zbresin emra të mëdhenj të futbollit evropian si Roma, Tottenham apo Ajax.
Me një trajner të ri, italianët do të provojnë ta nisin mirë garën e tyre, por kundërshtari i radhës nuk duhet nënvlerësuar, pasi bëhet fjalë për Athletic Bilbao. Roma vjen pas fitores në kampionat 3-0 ndaj Udinese, ndërsa Bilbao fitoi ndaj Celtës në shifrat 3-1.
Kjo mund të cilësohet padyshim kryendeshja e Europa League, por pa nënvlerësuar dhe Ajax-Besiktas e Tottenham-Qarabag.
Londinezët me shumë kualitete në vetvete përballen me skuadrën azere, pjesë e së cilës është dhe sulmuesi shqiptar Redon Xhixha. Favoritë padiskutim mbeten Spursat.
Në orën 18:45 është radha e Fenerbahces së Mourinho për të provuar veten ndaj Royal Union, teksa paralelisht zhvillohet dhe Malmo-Rangers. Kampionët e Conference League, Olympiacos synojnë të përsërisin suksesin e vjetshëm, por këtë herë një nivel më lart. Ndeshja e parë është ndaj Lyon, që po kalon një formë aspak pozitive. Braga-Maccabi Tel Aviv, Frankfurt-Plzen dhe Steao Bukuresht-Riga plotësojnë 9 përballjet e së enjtes.