Një video ku duket trajneri i skuadrës së volejbollit të Skënderbeut U-18, Romeo Xega që qëllonte me shuplakë një nga lojtaret, ka bërë xhiron e rrjetit, madje ka reaguar edhe federata e cila ka përjashtuar përgjithmonë trajnerin.
Por e dhunuara në atë video, volejbollistja Rovena Gengo, në një lidhje të drejtpërdretjë në emisionin “Zona Zero” deklaroi se nuk e konsideron dhunë.
Ajo shtoi se është prekur nga lajmet e portaleve, të cilat i konsideroi të ekzagjeruara. Ajo shtoi se familja e saj nuk është kundër trajnerit dhe i beson.
“E gjitha kjo na u duk e padrejtë. Reagimet e portaleve janë të tepruara. Lajmet janë të ekzagjeruara. Një njeri që nuk është në botën e sportit nuk e kupton. Unë nuk mendoj se kjo mund të quhet dhunë. Nuk ka ndodhur asnjëherë tjetër. Ajo ishte një ndeshje finale, dhe emocionet e lojës mund të çojnë në situata që keqinterpretohen nga të tjerët. Pse nuk kanë hedhur edhe pjesën tjetër të videos ku unë kam përqafuar trajnerin dhe kam festuar pikët me të. Unë në atë moment isha e bllokuar dhe kisha nevojë për mbështetje. Ishte një gjendje emocionale. Ne konsiderohemi si çuna në këtë sport.
Unë nuk e quaj dhunë, dhe me lajmet që po hapni po prekni familjen time. Ata nuk janë prekur sepse unë e vazhdoj volejbollin që 6 vjeç. Ata kanë besim tek unë, trajnerin e kam si baba. Familja ime do kishte reaguar në këto momente dhe nuk do më linte të luaja”- tha ajo.