“Tare, vlerë e shtuar për Milanin”, prezantohet Allegri: Objektivi parë është Champions-i

7 July 2025, 17:33Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Tare, vlerë e shtuar për Milanin”, prezantohet Allegri:
Massimiliano Allegri

Njëmbëdhjetë vjet pas lamtumirës, nis zyrtarisht aventura e dytë e trajnerit Massimiliano Allegrit në pankinën e Milanit. Trajneri kuqezi, rikthimi i të cilit u njoftua zyrtarisht më 30 maj, u paraqit në konferencë për shtyp, ku bëri edhe prezantimin e tij.

Në fillim të konferencës, Allegri tha se objektivi është rikthimi i skuadrës në Ligën e Kampioneve, ndërsa u shpreh tejet entuziast për këtë aventurë të re.

Sipas tij, Milani duhet të jetë si një trup i vetëm, ku të gjithë të ecin në të njëjtin drejtim. Ndër të tjera, Allegri tha se gjashtë muajt e parë do të jenë për të vendosur themelet e ekipit.

“Objektivi numër një është të rikthejmë ekipin në Ligën e Kampionëve. Jam i lumtur dhe kam shumë entuziazëm. Do të duhet të jemi një trup i vetëm dhe të punojmë të gjithë në të njëjtin drejtim. Kjo është e domosdoshme për një klub si Milani.

Kam pasur fatin të punoj te Milani për 4 vite me presidentin Berlusconi dhe Adriano Gallianin. Falë tyre dhe lojtarëve kisha mundësinë të fitoj. Më pas shkova te Juventusi ku punova 8 vite. Mundohem t’i vë lojtarët në kushte për të fituar, por gjithçka nis nga klubi, që duhet të jetë një bllok i vetëm. Jam i sigurt që te Milani do të jetë kështu. Skuadra është në nivel shumë të mirë, ka lojtarë me vlera dhe drejtori Tare po ndjek të gjitha situatat. Objektivi është të jemi në formën më të mirë deri në fund të gushtit. Pastaj nis puna, gjashtë muajt e parë do të shërbejnë për të vendosur themelet.

Në mars do të shohim ku jemi dhe do të vendoset për sezonin. Duhet të punojmë me vendosmëri për të qenë në mars në formën më të mirë të mundshme. Objektivi i parë është që Milani të rikthehet në Champions, sepse është një skuadër me nivel botëror. Në mars duhet të jemi në ato pozicione. Duhet të rikthejmë Milanin në Champions, ky është objektivi që duhet ta kemi të gjithë në mendje. Dhe atje do të arrijmë vetëm me punë të përditshme”, tha Allegri.

Tekniku livornez vlerësoi maksimalisht drejtorin sportiv Igli Tare, për të cilin tha se është vlerë e shtuar për Milanin. Ai refuzoi të përmendë titullin kampion si objektiv, ndërsa shtoi se duhet të bëhen ekip sa më shpejt.

“Është një klub për të cilin kam shumë dashuri. Kur më telefonoi Tare, u ndjeva shumë i emocionuar. Brenda një ore bisede vendosëm të nisim këtë aventurë, për të cilën jam shumë i entuziazmuar.

Për merkaton merret drejtori Igli Tare, largimet janë vendosur bashkërisht. Kam në dispozicion 25 lojtarë dhe jam shumë i kënaqur me ta. E rëndësishme është të punojmë mirë për të qenë gati më 17 gusht, kur kemi ndeshjen e parë në Kupën e Italisë.

Titulli? Kur punon te Milani duhet të kesh ambicien për të arritur maksimumin. Duhet kjo bindje. Nëse do të jemi në pozitat e rëndësishme në fund, do ta luftojmë. Për momentin nuk ka kuptim të bëjmë deklarata. Duhet të jemi të përgjegjshëm, profesionalë dhe konkretë.

Maignan do të jetë kapiten, jam i lumtur që vendosi të qëndrojë. Është një nga portierët më të mirë në Europë. Leao është një lojtar i jashtëzakonshëm që me siguri do të bëjë një sezon të madh.

Të presim të vijë Modric, nuk do të vijë para gushtit. Pastaj kemi Riçi, Loftus-Cheek, Fofana, Bondo, Musah… Kemi lojtarë të mirë. Me siguri do të luajmë me 3 mesfushorë, pastaj sipas karakteristikave do t’i vendosim.

Shpresoj t’i nxjerr diçka më shumë Leaos. Unë besoj te ai. Po hyn në moshën e pjekurisë maksimale, ka të gjitha kushtet për të bërë mirë.

Ndryshimi nga periudha e fundit? Atëherë kisha flokë… Sigurisht që kam ndryshuar shumë, kam bërë shumë përvoja. Për një muaj mbush 58 vjeç, jam krejt ndryshe nga hera e parë te Milani. Kam qenë me fat në karrierë: 4 vite te Milani dhe 8 te Juve më kanë mësuar shumë, më kanë rritur përvojën. Por nuk ndalon kurrë së mësuari. Duhet vetëm ta duash.

Duhet të bëhemi ekip sa më shpejt. Sa më herët ta bëjmë, aq më shpejt do të marrim rezultate. Sigurisht që kam parë djem shumë të gatshëm dhe të përqendruar”, deklaroi Allegri.

Milani nisi këtë të hënë zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri, ku synohet rikthimi te sukseset, pas një edicioni me probleme të mëdha.


Video