
Ferrari shkëlqeu në provat zyrtare të garës për Çmimin e Madh të Hungarisë, por performanca e pazakontë e George Rusell me Mercedes i la në vendin e dytë dhe të tretë të nisjes.
Piloti britanik ka arritur ‘pole position’ e parë në karrierë. Pas tij dy makinat Ferrari, me Carlos Sainz që niset nga rreshti i parë. Russell rrëmbeu skenën në Hungaroring me vendin e parë në rreshtimin e nisjes. Anglezi la pas për çështje të mijëtash dy makinat Ferrari.
Sainz duhet të kënaqet me vendin e dytë. Ai ëndërronte që për herë të dytë radhazi të nisej para të gjithëve, por u “dogj” për 44 të mijëtat. Nuk i kishte bërë llogaritë me ‘shigjetën e argjendtë’ të paparashikueshme të Russell, i cili diti të shfrytëzonte çdo milimetër të pistës për të regjistruar kohën 1:17.377.
Mirë edhe Charles Leclerc, në rresht të dytë me vendin e tretë. Një buzëqeshje e fshehur për të edhe pas dështimit të dy makinave Red Bull. Më shumë i intereson një problem teknik i makinës së Max Verstappen, i cili do të niset nga vendi i 10-të.
Rreshti i tretë është rezervuar për dy makinat Alpine të Ocon dhe Alonso, më pas vijnë Hamilton dhe Bottas.