Në prag të sfidës së shumëpritur ndaj Serbisë, dy prej figurave kyçe të Kombëtares shqiptare, sulmuesi Armando Broja dhe mbrojtësi Arlind Ajeti, dolën sot në një konferencë për mediat, ku shprehën vendosmërinë e skuadrës për të luftuar për tri pikët.
Broja u shpreh se nuk ka rëndësi nëse shënon apo jo, pasi të rëndësishme janë vetëm 3 pikët me Serbinë.
“Për mua më e rëndësishme është të fitojmë ndeshjen, të marrim 3 pikët. Unë normalisht që kam qejf të bëj gola, por më bukur është të ndihmoj ekipin që të fitojmë”, tha sulmuesi i Kombëtares.
“Jemi të fokusuar dhe të përqendruar. E dimë që është ndeshje e madhe. Kam mundësi për të bërë gola në çdo pozicion, kam qejf të ndihmoj ekipin dhe trajneri më flet shpesh sepse më thotë që duhet të jemi të përqendruar për të shfrytëzuar atë rast për të bërë golin dhe fituar ndeshjen”, shtoi Broja.
Sulmuesi i Burnley shtoi: “Kam qejf që të jap edhe asist, nuk e kam mendjen te goli, por mendoj për të fituar ndeshjen. Kemi shanset maksimale, kemi një grup të vështirë, por do të luftojmë deri në fund, jemi të fokusuar dhe shpresojmë të fitojmë”.
Nga ana tjetër, mbrojtësi Arlind Ajeti u fokusua te forca e kundërshtarit, por edhe përgatitja taktike e Shqipërisë për këtë sfidë delikate.
“Serbia ka lojtarë të mirë”, pranoi ai, por theksoi se ekipi kuqezi po bën punën e saj. “Ne do analizojmë çdo lojtar dhe do të jemi të përgatitur për çdo rast.”
“Do tentojmë që të mos pësojmë dhe sulmuesit e dinë vetë çfarë do bëjnë”.
Shqipëria do të përballet me Serbinë në një ndeshje të ngarkuar emocionalisht dhe me rëndësi të madhe për ecurinë në grup.