Performanca e shkëlqyer me kombëtaren shqiptare duket se ka hapur dyer të reja për futbollistin Jasir Asani. Vetë ai ëndërron të luajë në “Serie A”, por ofertat që ka marrë janë të pafundme.
Asani luan aktualisht në Korenë e Jugut, por shpreson të transferohet në Itali që në merkaton e janarit.
“Më kërkojnë në Itali, Gjermani, Arabi dhe Spanjë. Në janar do të transferohem te një nga këto liga. Si çdo shqiptar, jam i fiksuar pas Serie A. Në Shqipëri, përveç klubit tonë të zemrës, të gjithë mbështesin një skuadër italiane”, tha Asani.
Asani foli edhe për mbështetjen e tifozëve të flakët të kombëtares shqiptare.
“Jam i bindur se nëse në Tiranë do të kishim një stadium si “Camp Nou”, shqiptarët do ta mbushnin plot. Jemi të çmendur për futboll”, tha ai.