“Paso topin, nuk je Messi!”, Kyle Walker turpëron Joao Felix, mikrofonat kapin fjalët e ashpra (VIDEO)

1 Prill 2025, 17:49Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kyle Walker turpëron Joao Felix

Arbitri Sozza sapo ka sinjalizuar fundin e një pjese të parë katastrofike për Milanin, i cili u dominua nga Napoli në 20 minutat e para pas golave të Politano dhe Lukakut.

Futbollistët kuqezi zbresin të dëshpëruar në dhomat e zhveshjes së stadiumit “Maradona”, me shumë pak – nëse jo aspak – për t’u shpëtuar nga ajo performancë. Në pjesën e dytë, ekipi i Conceiçaos do të reagojë, duke e vënë Napolin në vështirësi deri në momentin e fundit të ndeshjes, edhe pse në fund do të mposhtet 2-1.

Ndërsa skuadrat kthehen në fushë, kamerat fokusojnë Kyle Walker, i cili ndjek me hap të shpejtë Joao Felix, duke i thënë diçka jo fort miqësore.

Kyle Walker drejt Joao Felix: Paso topin! Nuk je Messi!

Mikrofonat kapin fjalët e ashpra të mbrojtësit anglez, një veteran që ka parë gjithçka në karrierën e tij. Ai mund të pranojë të mposhtet nga kundërshtarë më të fortë, por jo një qasje të gabuar ndaj ndeshjes apo një lojtar që luan sipas mendjes së vet. “Paso topin! Nuk jemi Messi!”, i thotë Walker portugezit 25-vjeçar, duke vazhduar ta qortojë me gjeste të dukshme, përpara se të dy të zhduken nga fushëpamja e kamerave.

Joao Felix nuk reagon, duket i shuar, ndërsa gjuha e tij e trupit nuk është ajo e një futbollisti nga i cili mund të pritet një pjesë e dytë me zemërim dhe grintë. Dhe në fakt, Conceição e zëvendëson pas vetëm 10 minutash, duke futur në lojë Leao-n (së bashku me Chukwueze për Bondon). Ky ndryshim i jep Milanit energji të reja në tentativën për të përmbysur rezultatin, që kulmon fillimisht me penalltinë e humbur nga Gimenez dhe më pas me golin e 1-2 të Jovic-it. Kuqezinjtë rrethojnë portën e Napolit në minutat e fundit, duke e vënë në ankth stadiumin “Maradona”, por pa arritur barazimin.

Video