Tottenham ka zyrtarizuar shkarkimin e trajnerit Thomas Frank pas një serie rezultatesh negative që e kanë zbritur ekipin në vendin e 16-të të Premier League.
Humbja e fundit 1-2 në shtëpi ndaj Newcastle, e 15-ta për këtë sezon, e mbushi kupën për bordin e klubit.
Frank, i cili mori drejtimin e “Spurs” në qershor 2025 pas largimit të Ange Postecoglou, mbyll aventurën e tij me një përqindje fitoresh prej vetëm 26.9%, më e ulëta në historinë e klubit në epokën e Premier League.
Gjatë tetë ndeshjeve të fundit, Tottenham nuk ka regjistruar asnjë fitore dhe ndodhet vetëm 5 pikë mbi zonën e rrezikut.
Ndonëse trajneri danez arriti rezultate pozitive në Champions League, dështimet në kampionat dhe eliminimet e hershme nga Carabao Cup dhe FA Cup bënë që ndryshimi të ishte i pashmangshëm.
Aktualisht, emrat më të lakuar për të marrë stolin janë Roberto De Zerbi dhe asistenti John Heitinga, i cili mund të marrë drejtimin e përkohshëm.