Nuk është vetëm një "numër 9" klasik: Si Botërori po ‘kurorëzon’ Harry Kane si sulmuesin më të kompletuar në botë

2 Korrik 2026, 20:11Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Harry Kane

Nuk është më vetëm një "numër 9" klasik: Kane udhëheq, krijon, shënon dhe po luan futbollin më të kompletuar të karrierës së tij

Harry Kane vazhdon të bëjë diferencën për Anglinë në Kupën e Botës 2026.

Dy golat e tij në fitoren 2-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos i siguruan skuadrës së Thomas Tuchel kualifikimin për në fazën e 16 më të mirëve, por njëkohësisht nxorën edhe një herë në pah varësinë e anglezëve nga kapiteni i tyre.

Në një ndeshje ku Anglia vuajti gjatë, Kane u shfaq në momentin vendimtar. Fillimisht realizoi me kokë, më pas shënoi edhe golin e fitores me një goditje të fuqishme, duke e çuar në pesë numrin e golave të tij në këtë Botëror.

Me këtë dygolësh, sulmuesi i Bayern Munich vijon sezonin me 72 gola në total, një shifër që e vendos mes sezoneve më produktivë në historinë e futbollit modern. Vetëm Lionel Messi, me 82 gola në sezonin 2011-2012, ka regjistruar më shumë.

Por ndikimi i Kane nuk matet më vetëm me statistika.

Në vitet e fundit ai është transformuar nga një “numër 9” klasik në një futbollist që merr pjesë në çdo fazë të lojës. Ai zbret në mesfushë për të ndërtuar aksionet, krijon hapësira për shokët e skuadrës dhe vazhdon të mbetet pika më e rrezikshme në zonën kundërshtare.

Pikërisht kjo e bën sot një nga lojtarët më të kompletuar në futbollin botëror.

Në të njëjtën kohë, paraqitja e Anglisë vazhdon të ngrejë pikëpyetje. Pas debutimit bindës në Botëror, skuadra e Thomas Tuchel ka hasur vështirësi ndaj Ganës, Panamasë dhe tani Kongos, duke treguar mungesë idesh në ndërtimin e lojës dhe varësi të dukshme nga frymëzimi individual i Kane.

Edhe Jude Bellingham, një nga yjet më të mëdhenj të skuadrës, nuk ka arritur të ketë ndikimin e pritur në fazën me eliminim direkt.

Në këtë kontekst, Kane është kthyer në liderin teknik dhe emocional të Anglisë. Përtej golave, ai është lojtari që mban ritmin e skuadrës dhe ai tek i cili bashkëlojtarët drejtohen në momentet më të vështira.

Nëse në të kaluarën karriera e tij shpesh shoqërohej me mungesën e trofeve gjatë viteve te Tottenhami, sot eksperienca te Bayern Munich duket se e ka çuar në një tjetër nivel.

Në moshën 32-vjeçare, Harry Kane nuk konsiderohet më vetëm një prej sulmuesve më të mirë në botë.

Ai po luan futbollin më të plotë të karrierës së tij dhe, për momentin, mbetet arma më e fortë e Anglisë në rrugën drejt ëndrrës për titullin botëror.


Video