Nesër do të zhvillohen zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit, ato zgjedhje për kreun e ri të futbollit shqiptar, që Armand Duka i spostoi me 13 ditë për të shuar polemikat.
Janë konfirmuar tashmë emrat e delegacioneve të UEFA-s e FIFA-s si edhe personaliteteve të futbollit europian, të cilët do të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF, që zhvillohet më datë 15 mars 2022.
Nga UEFA të pranishëm në punimet e Asamblesë do të jenë anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Zbigniew Boniek, njëkohësisht edhe një nga Zv.Presidentët e UEFA-s, si edhe dy zyrtarët, Thierry Favre dhe Luca Nicola.
Ndërsa FIFA do të jetë e përfaqësuar në Asamble nga dy zyrtarët e lartë, Nodar Akhalkatsi dhe Sofia Malizia.
Kjo tregon ndjeshmërinë që ka UEFA në lidhje me këtë Asamble në të cilën është përfshirë edhe politika dhe shteti, që vazhdon të kërkojë moszhvillimin e zgjedhjeve në FSHF.