Mbrojtja e mesfusha për turp, Atletiko shkatërron me poker Juventusin

7 August 2022, 20:00Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Mbrojtja e mesfusha për turp, Atletiko shkatërron me poker Juventusin

Miqësorja mes Juventusit dhe Atletikos së Madridit u mbyll me fitoren e pastër 3-0 të skuadrës spanjolle.

Bardhezinjtë u ndëshkuan në këtë ndeshje nga ish-i, Alvaro Morata, që shënoi plot tre herë në portën e italianëve.

Ishte thjesht një testim për dy skuadrat, por testimi u mor shumë seriozisht nga të dy trajnerët që hodhën në fushë lojtarët më të mirë që kanë në dispozicion që prej minutës së parë.

Allegri zgjodhi 4-5-1, me dyshen Bonuçi-Bremer në qendër të mbrojtjes, Danila e Alex Sandro në krahë, në mesfushë u rreshtuan Di Maria, Zakaria, Locatelli, Fagiolli dhe Soule, ndërsa në sulm Vlahoviç ishte i vetëm.

Simeone nga ana tjetër zgjodhi skemën 3-4-2-1, me Moratan si pykë dhe Joao Felix e Llorente si mbështetës.

Morata gjeti golin që në minutën e 10-të. Në minutën e 40-të, Joao Felix humbet një penallti, ndërsa tre minuta më vonë sërish Morata vulos avantazhin 2-0 në pjesën e parë.

Për të kompletuar formën e mirë që po kalon, Morata gjeti edhe golin e tretë në minutën e 62-të. Në minutën e 92, Matheus Cunha shënoi të katërtin.

Golat provuan se dyshoja e qendërmbrojtjes, Bonuçi-Bremer ka nevojë ende për ‘kolaudim’.

Ndërkohë, në mesfushën e Juventusit u shfaqën problematikat e sezonit të kaluar. E mbipopulluar me pesë lojtarë ajo dështoi si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese, duke prodhuar një ndeshje pa vizion.


Video