Mbappe “asfalton” Manchester City-n, tripleta e francezit sjell kualifikimin e Realit. PSG, fitore me goleadë

19 Shkurt 2025, 23:13Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kylian Mbappe

Reali i Madridit arriti ta kalonte pa probleme Manchester City-n në Ligën e Kampionëve, për të vazhduar më tej në fazën e 1/8-ave.

Pas fitores së arritur me përmbysje në ndeshjen e një jave më parë në Angli, sfida e dytë nisi mjaft mirë për të besuarit e Ancelottit.

Në minutën e 4’ të takimit, Kylian Mbappe realizoi një supergol dhe pas disa minutash, ishte sërish francezi që dyfishoi shifrat.

“Qytetarët” e Guardiolës u përpoqën të rifuteshin në lojë, por mbrojtja e “Los Blancos” ishte e pakalueshme, teksa në minutën e 61’, Mbappe kompletoi tripletën e tij, e para me Realin e Madridit.

Një gol i Nico Gonzalez mjaftoi vetëm për statistikë, me rezultatin përfundimtar që shënoi 3-1, teksa kampionët e Anglisë largohen me “kokën ulur” nga ky edicion i Ligës së Kampionëve.

Tashmë Reali do të presë shortin e së premtes, aty ku do të mësojë se me cilën prej Atletico Madridit ose Bayer Leverkusenit do të ndeshet në fazën e 1/8-ave.

Në sfidat e tjera, PSG arriti një fitore tenistike, me rezultatin 7-0 përballë rivalëve të Brest, ndërsa Dortmund barazoi pa gola përballë Sporting, duke u kualifikuar falë sfidës së parë.

Video