
Sot në orën 11:00 do të mbahet ceremonia për nder të Luiza Gegës, e cila u shpall kampione e Europës në atletikë në garën 3000 m me pengesa në Gjermani.
Kryeministri Edi Rama ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen ceremonisë që do të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet.
‘Shihemi nesër në 11.00 në ceremoninë e posaçme për nder të Luiza Gegës, me këdo e ka të mundur dhe dëshiron ta duartrokasë kampionen e parë europiane të atletikës me fanellën kuqezi të Shqipërisë.’- shkruan Rama.
Të shtunën, Luiza Gega bëri një paraqitje brilante në finalen e 3000 metrave me pengesa, duke ndalur kohën në 9 minuta, 11 sekonda e 31 të qintat. Si rezultat i kësaj paraqitje Gega la pas gjermanen Meyer, e cila kishte edhe mbështetjen e publikut duke qenë se kampionati europian zhvillohet në Mynih. Një arritje e jashtëzakonshme e Gegës, e cila për më tepër vendosi edhe rekord europian të përmirësuar me pothuajse 6 sekonda. Në fund nuk munguan lotët e kampiones.
Atletja kuqezi, u rikthye në atdhe një ditë më parë, ku u prit në Rinas nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe nga presidenti i KOKSH, Fidel Ylli. Një punë e palodhur dhe plot sakrifica e konsideroi atletja shqiptare Gega, arritjet e saj duke thënë se nuk do të ndalet dhe se ndihet krenare për ngjyrat e flamurit që përfaqëson. E veshur me medalje ari, Luiza Gega tha se arriti t’i tregonte Europës që edhe shqiptarët mund tja dalin.