Luiza Gega, kampionia më e re e Europës në atletikë në garën 3000 m me pengesa, ende i ruan emocionet e finales së një nate më parë. Në një intervistë për Report Tv, me gazetarin Arbër Hitaj ajo tha se ndihet shumë e lumtur për këtë arritje dhe shumë krenare që përfaqëson Shqipërinë.
‘Ishte një emocion shumë i madh! Konkurrentët kryesorë ishin shumë të përgatitur dhe unë i kam studiuar dhe jam munduar që të bëj një garë taktike. Po ashtu gjatë gjithë kohës ndoqa këshillat e trajnerit. Më ndihmoi gjatë të gjitha xhirove për të arritur më shpejt se të tjerët atë vijën e finishit. Është i rëndësishëm medalja dhe pozicioni! Ndihem shumë e lumtur dhe shumë e vlerësuar dhe jam shumë krenare që jam shqiptare dhe që përfaqësoj këtë komb! Mund t’i kemi gjërat më të vështira sesa shtete e zhvilluara, por gjithsesi dhe pse në vështirësi nëse e do vërtetë atë që bën dhe je i durueshëm mund t’ja dalësh! Jam shumë krenare. Ka shtete që vijnë me 30 sportistë dhe nuk marrin medalje ari. Jam ndjerë shumë e vlerësuar dhe nga komentet e shteteve të huaja. Akoma i kam emocionet. Jam më mirë se kurrë më parë.’- u shpreh rekordmenia Luiza Gega.
Luiza Gega është sot kampione Europe, por ajo pretendon se rezultatet mund të ishin shumë më të larta nëse kushtet do ishin normale.
“Trajneri duhet të bëjë fizioterapistin, mesazhatorin sepse është e pamundur t'i kem me vete kur shkoj në qendrat e grumbullimit që janë kryesisht në male. E kam të pamundur t'i paguaj kështu që këtë pjesë e plotëson trajneri", tha ajo.