“Luftëtari” shqiptar i MMA, Klorenc Dedja sërish në kafaz

26 February 2024, 19:18Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Luftëtari” shqiptar i MMA, Klorenc Dedja sërish në
Klorenc Dedja sërish në kafaz

“Luftëtari” shqiptar në MMA, Klorenc Dedja rikthehet në kafaz pak më shumë se tre muaj nga ndeshja e tij e fundit. Vetëm 20 vjeç, Dedja nuk njeh asnjë humbje.

Ndeshja e radhës nuk është si të gjitha ndeshjet e tjera për nga rëndësia. I riu shqiptar këtë herë ndeshet për t’u bërë kampioni i ri në FIGHT STAR CHAMPIONSHIP, më 2 mars në Londër.

Përballë tij në kafaz do të jetë algjeriani Yacine Sifi. Dueli pritet të jetë shumë i fortë dhe do të prodhojë mjaft emocione.

Sfida e fundit e të riut Klorenc Dedja në MMA ka qenë në 18 nëntor të vitit të kaluar. Atë mbrëmje në Londër, “luftëtari” shqiptar mposhti rivalin brazilian Antonio Jorge Carvalho. Për 20-vjeçarin nga Shqipëria kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi në “kafazin e frikshëm”. Seria e fitoreve në kafaz për Dedjan paralajmëron një të ardhme të ndritur në MMA.

Klorenc Dedja ka shprehur edhe më parë se ëndrra e tij është të ndeshet në UFC për titull, objektiv për të cilin ai po punon fort për ta arritur brenda një kohe të shkurtër.

“Luftëtari” shqiptar i MMA, Klorenc Dedja sërish në

“Synimi im është që të, ndeshem në UFC për titull. Sigurisht që jam në fillimet e mia të këtij sporti, dhe është një rrugë shumë e gjatë për të arritur atje. Por e di se çfarë dua, dhe çfarë duhet të bëj”, ka thënë Dedja gjatë një interviste për mediat shqiptare pak kohë më parë.

Edhe pse i lindur dhe rritur në Britaninë e Madhe, Klorenc Dedja nuk i harron rrënjët shqiptare. Dhe pikërisht një tjetër ëndërr e tij është të zhvillojë një ndeshje në Tiranë përpara publikut shqiptar.

Trajnerët dhe ekspertët e MMA e shohin shqiptarin si të pamposhtur, dhe të ardhmen e këtij sporti luftarak. Ai konsiderohet prej tyre si i lindur për në kafaz (Born for the cage) vlerësim i cili e inkurajon dhe e motivon për të qenë lider i kafazit.


Video