
Rafael Dowamena vdiq 11 nëntor 2023 në fushën e lojës në ndeshjen Egnatia-Partizani.
28 vjeçari ishte jo vetëm një nga të huajt më të mirë që ka shkelur në fushat shqiptare, por edhe një nga lojtarët më të mirë të kampionatit tonë në dekadat e fundit.
Sot askush nuk flet për të dhe asnjë nuk e di se cilat janë konkluzionet e prokurorisë për vdekjen e tij.
Zyrtarisht Dwamena vdiq për shkak të problemeve me zemrën, por rasti i tij ishte një tragjedi e paralajmëruar dhe askush nuk mori masa.
Ganezi Dwamena kishte probleme serioze në zemër.
Më 21 gusht 2017 dështoi transferimi i tij nga FC Zurich te Brighton sepse mjekët anglezë ishin të parët që zbuluan problemet e tij shëndetësore.
Aq e rëndë ishte situata, sa që edhe pse Anglia është nga ato vende që të lejojnë të luash me aparatin “peacmaker” (rasti i Eriksen), ai nuk u lejua të firmoste.
Në vitin 2019 kur ishte pjesë e spanjollëve të Levantes Dwamenës i prishën kontratën për shkak se problemet në zemër po rëndoheshin.
Më pas ai shkoi te Velje në Danimarkë dhe vetëm pas 5 ndeshjesh, klubi i prishi kontratën për shkak të problemeve serioze në zemër, madje mjekët i sugjeruan ta mbyllte me futbollin.
Lojtari nuk i mori parasysh këshillat dhe shkoi në Austri.
Më 28 tetor 2021 ai pësoi kolaps në fushë dhe klubi “Blu Veiz Linz” e prishi menjëherë kontratën. Në të gjitha këto skuadra Dwamena kishte luajtur me aparatin “peacmaker” që e ndihmonte sa herë pësonte kolaps, shkruan vna.
Pak muaj pasi kishte firmosur me Egnatian, në një intervistë televizive, me zë dhe me figurë, Raphael Dwamena deklaroi se e kishte hequr aparatin dhe ia kishte besuar jetën Zotit.
E pabesueshme, por e vërtetë.
Në cdo vend të botës një klub normal do ta ndalonte menjëherë të luante e të stërvitej dhe do ta conte në një psiokolog për ta ndihmuar të mos luante bingo me jetën e tij.
Në Shqipëri askush nuk e vuri ujin në zjarr.
As mjeku i klubit, as menaxheri i tij, as drejtuesit e skuadrës dhe as trajneri.
Çmenduria vazhdoi me federatën që nuk mori asnjë masë, me ministrinë që as nuk e di c’ndodh me futbollin në vend dhe së fundmi as me prokurorinë.
Dwamena u tha të gjithëve se pavarësisht se kishte pësuar disa herë kolaps në fushë, e kishte hequr aparatin në zemër dhe po luante bixhoz me jetën e tij.
Duamena vdiq në fushë dhe sot asnjë nuk mban përgjegjësi.
Pra vdiq sulmuesi më i mirë i sezonit deri në atë moment, dhe lojtari më i mirë i skuadrës që u shpall kampione e vendit.
Asnjë nuk e di se përse ai luajti kundër çdo rregulli në një kampionat profesionist…