
Italia kualifikohet për në Euro 2024. Të kaltrit e Luciano Spallettit vuajtën jo pak ndaj Ukrainës në ‘Bay Arena’ të Leverkusenit, por ia dolën të marrin atë që donin, barazimin 0-0, që u siguroi kualifikimin më tej me 14 pikë, po aq sa ukrainasit, por me avantazhin e përballjeve direkte.
Ukrainasit e Rebrov ishin të dënuar të fitojnë dhe bënë një 90-minutësh të mirë në Gjermani, duke merituar shumë më tepër se një barazim pa gola, por forma e mirë e Donnarummës, nuk lejuan shënimin e golit që do t’i çonte në Gjermani. Donnarumma dhe Chiesa ishin të vetmit nga të kaltrit që ishin më të mirët në fushë.
Në shtesë pati edhe një pretendim për penallti nga ana e Ukrainës, me Acerbin që ndërhyri ndaj Mudryk brenda zonës, por arbitri spanjoll Manzano urdhëroi vijimin e lojës, teksa episodi pritet të shkaktojë jo pak debat.
E mbyll duke festuar Italia e Spallettit, që pasi dështoi të marrë pjesë në Kupën e Botës një vit më parë, këtë herë siguroi në frymën e fundit një biletë për në Gjermani 2024, ku do të shkojë si kampione në fuqi.
Në sfidën tjetër të grupit, Anglia u ndal në barazim 1-1 në Shkup ndaj Maqedonisë së Veriut, teksa për këta të fundit shënoi shqiptari Enis Bardhi, ndërsa për skuadrën e Southgate riktheu baraspeshën Harry Kane.