Tifogrupi i "Plisave" nuk do të jetë sot i pranishëm në shkallët e stadiumit "Air Albania" për t'i dhënë zemër kuqezinjve në ndeshjen e tyre të fundit të fazës së kualifikueseve.
Gjatë ditës së sotme, një anëtar i "Plisave" zbuloi se atyre nuk u ishin dhënë bileta nga FSHF-ja, duke shprehur në të njëjtën kohë edhe revoltën me këtë vendim, teksa shkruante se FSHF-ja është e përkohëshme, por ajo që mbetet përgjithmonë është Shqipëria.
Megjithatë, mediat në Kosovë raportojnë se "Plisave" nuk u janë ndarë bileta për shkak se më herët i kanë keqpërdorur ato.
Një burim brenda këtij tifogrupi tha se "Plisat" kanë marrë bileta edhe për ndeshjet e mëparshme, por i kanë shpërndarë ato tjetërkund, teksa vetë kanë siguruar hyrjen në stadium më herët. Kjo ka shkaktuar tejmbushjen e stadiumit mbi kapacitete, teksa disa persona kanë hyrë me të njëjtën biletë.
Shqipëria do të përballet sot me Ishujt Faroe në një tentativë tashmë për të mbajtur vendin e parë në grup, për çka i duhet vetëm 1 pikë.