Inzaghi: Asllani gati edhe për Barcelonën. Unë në diskutim? Jam mësuar me këtë situatë

3 Tetor 2022, 18:03Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Simone Inzaghi

Interi i Simone Inzaghit duhet ta arkivojë shpejt humbjen e dhimbshme ndaj Romës, të dytën radhazi, dhe të fokusohet në një “regjistër” tjetër. Konkretisht duhet të mendojë për ndeshjen e Champions League kundër Barcelonës, e planifikuar për nesër në “San Siro”.

Ndalohet gabimi për zikaltrit, në ndeshjen e tretë të fazës në grupe, edhe pse në 180 minutat e ardhshëm duhet të përballet dy herë me katalanasit e rilindur. Ndeshja në shtëpi kundër Bayern Munich u humb, pastaj u shoqërua nga fitorja 2-0 në Çeki, ndaj Viktoria Plzen.

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi prezanton ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit C të Champions League në konferencën për shtyp, në prag të duelit me Blaugrana-t:

“Dy ndeshjet me Barcelonën vlejnë gjithçka për ne në Champions.

Sfida e nesërme nuk duhet humbur, për të ngritur kokën pas dy disfatave radhazi në Serie A dhe për sa i përket kualifikimit në grup. Lautaro iu nënshtrua një testi mjekësor ku nuk u evidentua asgjë, thjesht është i lodhur.

Do ta vlerësoj me mjekët Lautaron, nuk do të kemi Brozovic dhe Lukaku. Do të luajë Onana në portë. Të shohim për Asllanin. Ai zhvilloi një ndeshje shumë të mirë ndaj Romës. Tregoi kualitetet që i ka shfaqur prej ditës së parë që është në skuadrën tonë. Sigurisht që është gati për të luajtur edhe ndaj Barcelonës.

Skriniar? Duhet të presim më shumë nga të gjithë, përfshirë edhe veten time. De Vrij ka shumë shanse të fillojë titullar këtë herë, Acerbi është përshtatur shumë mirë.

Sezoni ndryshon me fitoren nesër, kundër Barcelonës është një mundësi e madhe, në një grup shumë të vështirë. Skuadra katalanase është shumë e fortë, humbi pa meritë në Mynih. Shpresoj t’i përballoj të gjitha ndeshjet tani e tutje me të gjithë skuadrën në dispozicion. Kemi lojtarë të tjerë edhe pa Lukakun dhe Brozovic”.

Inzaghi është në dijeni të situatës dhe thashethemeve për të ardhmen e tij: “Ne varemi nga rezultatet, është normale që trajneri të jetë i pari në diskutim. Jam mësuar me këtë situatë”.

 

Video