Drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio ka hedhur poshtë pretendimet se klubi mund të kërkojë të nënshkruajë në janar me sulmuesin e Chelsea, Armando Broja.
Sulmuesi shqiptar ishte në “radarin” AC Milan, por Mauricio Pochettino deklaroi se nuk dëshiron ta shesë duke e vlerësuar si një lojtar me potencial.
Vetëm kohët e fundit i kthyer nga një dëmtim i rëndë, 22-vjeçari shënoi golin e tij të parë këtë sezon gjatë fitores ndaj Fulham në fillim të këtij muaji dhe duket i vendosur të luftojë me Nicolas Jackson për pozicionin e sulmuesit kryesor në Stamford Bridge.
Me nënshkrimin e verës, Christopher Nkunku, i cili ende nuk është paraqitur pasi iu nënshtrua një operacioni në gju përpara fillimit të sezonit në Premier League, pritet të ketë më tepër aktivizim të Brojës në fushën e blertë.
Ndërsa në Itali është folur se Interi ishte interesuar për Brojën në merkaton e janarit.
Ausilio, megjithatë, i ka rrëzuar këto pretendime.
“Jo, më vjen keq, por kjo nuk është e vërtetë, sepse ne jemi të kënaqur me sulmuesit që kemi. E njoh Brojën dhe e di që po rikuperohet nga një dëmtim i rëndë dhe gjithashtu ka shënuar një gol. Shpresoj për të që nga e enjtja të jetë i rëndësishëm për kombëtaren. Por te Interi nuk ka asnjë shans”, deklaroi ai.