Manchester City triumfoi 2-0 ndaj Everton në shtëpi, në duelin e vlefshëm për javën e tetë në Premier League.
“Qytetarët” iu falën dopietës së shënuar nga Erlind Haaland, për të marrë tre pikë të rëndësishme, të cilat i ngjitin përkohësisht në krye të renditjes me 16 pikë.
Burnley u rikthye te fitorja, pasi mposhti 2-0 skuadrën e Leeds. Nuk kishte minuta në këtë takim për sulmuesin e Kombëtares, Armando Broja, i cili qëndroi në stol për të gjithë takimin.
Newcastle u shtang në transfertë, ku u mund 2-1 nga Brighton, ndërsa Sunderland fitoi 2-0 ndaj Wolves.
Dueli tjetër mes Crystal Palace dhe Bournemouth, u mbyll në një barazim spektakolar me rezultatin 3-3.
Ndërsa Chelsea triumfoi pastër ndaj Nottingham Forest në transfertë, me rezultatin 3-0.
Fraksioni i parë u mbyll pa gola, ndërsa i dyti ishte një tjetër histori. Acheampong zhbllokoi rezultatin në minutën e 49-të, ndërsa tre minuta më vonë, Pedro Neto dyfishoi shifrat.
Në fund, James vulosi takimin, duke shënuar edhe golin e tretë për Chelsea-n në minutën e 84-t.
Me këtë sukses, blutë e Londrës, ngjiten në vendin e katërt me 14 pikë të grumbulluara. Nottingham mban vendin e 17-të me vetëm pesë pikë, ndërsa kjo është humbja e tretë radhazi në kampionat.