Një humbje e turpshme që Tirana do ta mbajë mend gjatë. Pavarësisht se kishin krijuar pritshmëri të lartë, bardheblutë nuk ia dolën të përmbysnin humbjen e ndeshjes së parë (1-0) në Luksemburg.
Kampionia e Shqipërisë pësoi një disfatë të rëndë nga luksemburgasit e Dudelange 2-1 në “Air Albania Stadium” që rrëmbyen në këtë mënyrë biletën e fazës së dytë të UEFA Champions League.
Pjesë e parë pozitive, por e dyta “horror” për skuadrën e Orges Shehit që pësoi dy gola të shpejtë në fillimin e së dytës nga Bojic dhe Sinani, sulmuesi i luksemburgasve me origjinë shqiptare.
Tirana shënoi një gol shprese me Xhixhën në të 78-tën, por asgjë më shumë, në raundin e dytë të Champions League vijon Dudelange, pasi triumfoi me rezultat të përgjithshëm 3-1.
Tashmë Tirana do ta vazhdojë rrugëtimin europian në raundin e dytë të Conference League kundër boshnjakëve të Zrinjski Mostar.