Mbrëmjen e nesërme do të luhet ndeshja mes Serbisë dhe Kombëtares Shqiptare të Futbollit, e vlefshme për kualifikueset në Kupën e Botës.
Kjo ndeshje është e rëndësishme për kuqezinjtë, pasi vetëm një fitore do të linte hapur mundësinë për kualifikimin historik. Megjithatë kjo nuk është e vetmja arsye. Rivaliteti historik me serbët e bën këtë ndeshje jo vetëm të rëndësishme për t’u fituar, rrit shqetësimet për provokime nga pala serbe.
Kështu, autoritetet aty kanë marrë masa që në stadiumin në Leskovac, pasi e zhvendosën nga Beogradi, të hyjnë tifozë të kontrolluar rreptësisht. Të paktën kështu pretendojnë organizatorët.
Megjithatë, në stadium do të ketë edhe shqiptarë, përveç stafit të ngushtë të kombëtares. Një delegacion shqiptar me politikanë, njerëz të sportit e të tjerë, ndodhet aty.
Mes tyre është edhe deputeti dhe ish-ministri Taulant Balla, si dhe presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri. Këtë e zbuloi gazetari Tami Kona në një komunikim “live” me gazetaren Dafina Hysa në emisionin “Breaking” në Top News.