Dënim i rëndë për Mourinhon pas derbit Galatasaray-Fenerbahçe

27 Shkurt 2025, 18:26Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
José Mourinho

José Mourinho është pezulluar për katër ndeshje pas derbit të Stambollit mes Galatasaray dhe Fenerbahçe. Ky është vendimi i federatës turke pas polemikave të shkaktuara nga deklaratat e trajnerit portugez pas ndeshjes. Special One mori dy ndeshje pezullim për fjalët raciste drejtuar pankinës së Galatasaray, duke thënë se “kërcenin si majmunë”, dhe dy të tjera për fyerje ndaj arbitrit të katërt pas ndeshjes.

Ky është kapitulli më i fundit i një beteje të vërtetë që Mourinho ka nisur kundër Galatasaray dhe federatës turke. Në orët e ardhshme priten zhvillime të reja, pasi Fenerbahçe do të bëjë apel dhe ky duel nuk do të përfundojë shpejt.

Galatasaray ka akuzuar Mourinhon për racizëm dhe ka paralajmëruar se do ta padisë për frazën e tij në konferencë për shtyp: “Në pankinën e Galatasaray kërcenin si majmunë për protesta”.

Federata turke vendosi të ndëshkojë trajnerin e Fenerbahçe, i cili nga ana e tij ka njoftuar se do të ndjekë rrugët ligjore për të kundërshtuar këto akuza.

Në lidhje me dy ndeshjet e pezullimit për fyerje ndaj arbitrit të katërt, vetë Mourinho e pranoi se kishte bërë komente pas ndeshjes. Në konferencën për shtyp ai deklaroi: “Shkova në dhomën e arbitrave pas ndeshjes, aty ishte arbitri i katërt turk dhe i thashë se nëse ai do të ishte arbitri kryesor, do të ishte një katastrofë. Ndërkohë, e falënderova Vincic për ardhjen e tij për të gjykuar këtë ndeshje.”

Edhe Didier Drogba, ish-sulmuesi i Galatasaray, ka komentuar mbi çështjen, duke marrë në mbrojtje Jose Mourinho: “Kam parë komentet e fundit mbi José Mourinho. Besomëni kur ju them që e njoh José prej shumë vitesh dhe ai nuk është racist. Historia, si e shkuara ashtu edhe e tashmja, e vërteton këtë”.

Fenerbahçe ka dalë në mbrojtje të Mourinhos dhe ka deklaruar se nuk do ta pranojë pezullimin pa luftuar.

Video