Raporti i Këshillit të Evropës: Paraburgimi i zgjatur cenon të drejtat e Erion Veliajt

12 October 2026, 20:27Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Raporti i Këshillit të Evropës: Paraburgimi i zgjatur cenon

Çështja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është përfshirë në raportin e katërt të monitorimit të zbatimit të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore në Shqipëri, të hartuar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës.

Dokumenti ngre shqetësime lidhur me faktin që Shqipëria renditet ndër vendet me nivelet më të larta të paraburgimit në Evropë, ndërsa vë në dukje edhe pasojat që mund të ketë paraburgimi i zgjatur i një kryetari bashkie në ushtrimin e funksioneve të qeverisjes vendore.

Raporti i është dorëzuar Kongresit më 7 tetor dhe pritet të miratohet më 27 tetor.

Në të përshkruhen zhvillimet institucionale që lidhen me çështjen e Veliajt, nga shkarkimi i tij nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe anulimi i zgjedhjeve të parakohshme, deri te rikthimi në detyrë me vendim të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kryebashkiaku vijon të qëndrojë në paraburgim.

“Në shtator të vitit 2025, Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi për shkarkimin e kryetarit nga detyra për shkak të mungesës në vendin e punës për më shumë se 3 muaj. Në bazë të kësaj, qeveria nxori një dekret shkarkimi dhe me dekret presidencial u caktua mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë”, thuhet në raport.

Më tej, dokumenti evidenton ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila në nëntor të vitit 2025 vendosi rikthimin e Veliajt në detyrë dhe anulimin e zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet.

“Megjithatë, në nëntor të vitit 2025, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e riktheu Erion Veliajn në postin e kryetarit të bashkisë, duke e cilësuar shkarkimin e tij si antikushtetues dhe duke anuluar zgjedhjet e parakohshme në kryeqytet. Në praktikë, z. Veliaj nuk është në gjendje t’i ushtrojë detyrat e tij si kryetar bashkie, pasi vazhdon të mbahet në paraburgim”, theksohet në dokument.

Raportuesit sqarojnë se komentimi i procedimeve penale që janë ende në zhvillim nuk përfshihet në objektin e raportit.

Megjithatë, ata nënvizojnë problematikën e përgjithshme që lidhet me përdorimin dhe kohëzgjatjen e paraburgimit në Shqipëri.

“Raportuesit e konsiderojnë jashtë fushëveprimit të këtij raporti komentimin e procedimeve penale në vazhdim. Si vëzhgim të përgjithshëm, ata dëshirojnë vetëm të theksojnë se Shqipëria renditet ndër vendet me nivelet më të larta të paraburgimit në Evropë, si dhe me një kohëzgjatje mesatare relativisht të gjatë të paraburgimit”, thuhet në raport.

Në vijim, dokumenti i referohet edhe raportit të Komisionit të Venecias mbi ndikimin e paraburgimit të kryetarëve të bashkive në ushtrimin e qeverisjes vendore demokratike.

Sipas raportuesve, kjo çështje kërkon vëmendje të veçantë, pasi prek jo vetëm të drejtat individuale të të zgjedhurve, por edhe të drejtat e qytetarëve që u kanë dhënë atyre mandatin përmes votës.

“Raporti i Komisionit të Venecias mbi ndikimin e paraburgimit të kryetarëve të bashkive në ushtrimin e qeverisjes vendore demokratike ka theksuar se paraburgimi i zgjatur i kryetarëve të bashkive duhet trajtuar me kujdes të veçantë, pasi mund të vërë në pikëpyetje si të drejtat individuale të kryetarëve sipas KEDNJ-së, ashtu edhe të drejtat e votuesve që i kanë zgjedhur ata”, thuhet më tej në dokument.

Përmes këtij vlerësimi, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës e vendos rastin e Tiranës në kontekstin më të gjerë të funksionimit të vetëqeverisjes vendore dhe të ndikimit që masat e paraburgimit mund të kenë në ushtrimin e një mandati të fituar përmes zgjedhjeve demokratike.


Video