Protestat në Francë kanë vijuar për të tretën fundjavë radhazi, me rreth 320 mijë pjesëmarrës në të gjithë vendin, mes tyre 70 mijë në Paris, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme.
Pjesëmarrja ishte më e ulët krahasuar me dy fundjavat e mëparshme. Autoritetet raportuan 410 mijë demonstrues më 24 tetor dhe 550 mijë më 17 tetor, ndërsa organizatorët pretenduan se në secilën prej këtyre ditëve kishin marrë pjesë rreth 800 mijë persona.
Një nga arsyet që mund të ketë ndikuar në pjesëmarrjen më të ulët është edhe ndërprerja e transportit publik. Në Lion, tramvajet dhe trenat e metrosë qarkullonin me gjysmën e kapacitetit, ndërsa në Paris ishin mbyllur mbi 40 stacione metroje dhe ishte prekur edhe qarkullimi i tramvajeve.
Ministria e Brendshme e përshkroi situatën gjatë pjesës së parë të ditës si përgjithësisht të qetë, pa incidente të rëndësishme. Deri në orën 14:00 ishin regjistruar 27 arrestime, krahasuar me 217 në të njëjtën orë gjatë protestave të 24 tetorit.
Megjithatë, tensionet u rritën gjatë shpërndarjes së demonstruesve në disa prej qyteteve kryesore. Në Lion, policia përdori gaz lotsjellës kur protesta mbërriti në sheshin Jean-Macé. Autoritetet paralajmëruan se do të reagonin me vendosmëri ndaj personave përgjegjës për dhunën dhe dëmtimet.
Protestat nisën muajin e kaluar si një lëvizje e nxënësve të shkollave të mesme, të cilët kundërshtonin gjendjen e amortizuar të godinave arsimore, mungesën e mësuesve dhe sistemin e pranimit në universitete, që sipas tyre penalizon nxënësit nga shtresat më të pafavorizuara. Më pas, lëvizjes iu bashkuan sindikatat dhe grupe të tjera që kundërshtojnë politikat e presidentit Emmanuel Macron, me kërkesa të ndryshme sociale.
Pjesa më e madhe e protestuesve kanë qenë paqësorë, por në disa tubime janë regjistruar përplasje, ku grupe të dhunshme kanë sulmuar policinë me fishekzjarrë dhe sende të forta. Protestat e 17 tetorit u shoqëruan gjithashtu me trazira dhe plaçkitje, duke kapur në befasi autoritetet.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës, granata shpërndarëse dhe topa uji për të shpërndarë turmat, ndërsa këto ndërhyrje kanë shkaktuar edhe plagosje të rënda.
Për të parandaluar incidente të tjera gjatë mbrëmjes së Halloween-it, autoritetet kanë marrë masa shtesë sigurie. Presidenti Macron deklaroi se marshimet e së shtunës do të zhvilloheshin jashtë qendrave të qyteteve, me qëllim mbrojtjen e bizneseve. Në Paris, policia ndaloi hyrjen në sheshin République dhe zonën e Les Halles nga ora 23:00 deri në 06:00.
Ndërkohë, për këtë fundjavë është vendosur edhe një orar kufizues deri në orën 21:00 për të miturit e pashoqëruar në zonën përreth Champs-Élysées. Një masë e mëparshme e ngjashme ishte pezulluar nga një gjykatë e Parisit, e cila e kishte cilësuar kufizimin si cenim serioz dhe të paligjshëm të lirisë së lëvizjes.
Protestat përhapen edhe në vende të tjera të Evropës
Lëvizjet kundër problemeve sociale, në fushën e strehimit dhe arsimit janë shtrirë edhe në qytete të tjera evropiane.
Në Gjermani, iniciativa rinore “Gen Z regelt” organizoi tubime në disa qytete, me kërkesa për më shumë investime në arsim, shëndetësi dhe mbrojtjen e klimës, si dhe kundër rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Organizatorët thanë se mbi 180 mijë persona ishin regjistruar online, por deri pasditen e së shtunës në protesta kishin marrë pjesë vetëm disa mijëra.
Të rinj u mblodhën gjithashtu pranë Portës së Brandenburgut në Berlin, duke kërkuar më shumë investime në arsim dhe strehim.
Në Hagë të Holandës, policia shtoi praninë në zonën tregtare të qendrës së qytetit pas thirrjeve për protesta në internet dhe frikës për trazira e plaçkitje. Deri në mesditë nuk u raportuan tubime të mëdha apo incidente të rëndësishme.
Në Itali, forcat e rendit janë në gatishmëri pas përplasjeve të regjistruara në Milano, Torino dhe Bolonjë. Ndërsa në Barcelonë, policia katalanase planifikoi të aktivizonte nivelin më të lartë të alarmit, pas thirrjeve për tubime të reja nga një rrjet anonim në TikTok. Trazirat e fundjavës së kaluar në qytet çuan në rreth 130 arrestime, kryesisht të të miturve.
Thirrje për protesta janë shpërndarë gjithashtu në TikTok në Belgjikë, Holandë, Austri, Zvicër dhe Portugali.