Gara që mund të përcaktojë të ardhmen e Partisë Demokratike në SHBA

31 October 2026, 20:50Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

 

Gara që mund të përcaktojë të ardhmen e Partisë
Abdul El-Sayed (majtas), kandidati demokrat për Senatin e SHBA-së, me ish-presidentin Barack Obama (në mes) dhe Sekretaren e Shtetit të Miçiganit, Jocelyn Benson – kjo e fundit kandidate demokrate për guvernatore

Vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit, përballja mes demokratit Abdul El-Sayed dhe republikanit Mike Rogers është shndërruar në një test për të ardhmen ideologjike të Partisë Demokratike.

Sipas një analize të New York Times, rezultati në Miçigan pritet të ndikojë në debatin mes krahut progresist dhe atij centrist të demokratëve, në prag të garës për nominimin presidencial të vitit 2028.

El-Sayed, një mjek dhe politikan progresist, siguroi nominimin demokrat pasi mposhti në zgjedhjet paraprake kandidatin e mbështetur nga establishmenti i partisë.

Fitorja e tij u konsiderua një nga sukseset më të rëndësishme të së majtës progresiste amerikane në vitet e fundit.

Por zgjedhjet e përgjithshme paraqesin një sfidë tjetër: të bindë jo vetëm bazën progresiste, por edhe votuesit e moderuar dhe të pavarur në një shtet ku të dyja partitë konkurrojnë fort.

Dy vizione për të ardhmen e demokratëve

Në qendër të përplasjes qëndron një debat i hershëm brenda Partisë Demokratike: a duhet partia të përqafojë politika ekonomike më radikale dhe një retorikë kundër elitave të pasura, apo të ruajë një profil më të moderuar për të zgjeruar mbështetjen elektorale?

El-Sayed ka ndërtuar fushatën e tij mbi kritikat ndaj miliarderëve, korporatave dhe interesave të mëdha ekonomike. Ai mbështet sigurimin shëndetësor universal përmes programit Medicare for All dhe ka mbajtur qëndrime kritike ndaj Izraelit.

Për progresistët, suksesi i tij do të përbënte një argument në favor të idesë se një platformë e majtë mund të sigurojë mbështetje edhe në shtetet e lëkundura politikisht.

“Bëhet fjalë për atë se cili vizion i Partisë Demokratike do të hyjë në vitin 2028 me më shumë forcë: populizmi ekonomik progresist apo centrizmi tradicional i establishmentit”, tha për New York Times strategu demokrat Bhavik Lathia.

Megjithatë, përfaqësues të krahut centrist paralajmërojnë se një fitore e mundshme e El-Sayed nuk do të provonte domosdoshmërish se pozicionimi i tij ideologjik është arsyeja e suksesit.

Matt Bennett, drejtues i organizatës centriste Third Way, argumenton se një rezultat pozitiv mund të interpretohet gabimisht si mandat për zhvendosjen e gjithë partisë më majtas.

Sipas tij, El-Sayed ka mbetur pas disa kandidatëve të tjerë demokratë në sondazhe, përfshirë Jocelyn Benson, kandidaten e partisë për guvernatore të Michiganit.

Alexandria Ocasio-Cortez e kthen garën në një betejë kombëtare

Një nga mbështetëset më të rëndësishme të El-Sayed është kongresmenia progresiste Alexandria Ocasio-Cortez, e cila ka marrë pjesë në tubime dhe aktivitete elektorale në Michigan.

Ajo ka transferuar gjithashtu një milion dollarë nga fondet e saj politike për të mbështetur fushatën e kandidatit demokrat, kontributi më i madh i këtij lloji që ka bërë deri tani.

Ocasio-Cortez e ka paraqitur garën si pjesë të një projekti afatgjatë për forcimin e lëvizjes progresiste brenda Partisë Demokratike.

Kjo lidhje ka tërhequr edhe vëmendjen e republikanëve.

Senatori republikan Ted Cruz, gjatë një aktiviteti në mbështetje të Mike Rogers, argumentoi se një fitore e El-Sayed do t’u jepte progresistëve një argument të rëndësishëm në debatin për kandidatin presidencial demokrat të vitit 2028.

Përfshirja e Ocasio-Cortez, senatores Elizabeth Warren dhe kongresmeneve Ayanna Pressley e Rashida Tlaib tregon se gara në Michigan ka marrë një dimension kombëtar, përtej rivalitetit mes dy kandidatëve për Senatin.

Lufta në Gaza dhe përçarjet brenda elektoratit demokrat

Politika e jashtme, veçanërisht qëndrimi ndaj Izraelit, është kthyer në një tjetër pikë përplasjeje.

El-Sayed ka qenë kritik i politikave izraelite dhe ka tërhequr mbështetjen e një pjese të votuesve që u përfshinë në lëvizjen Uncommitted gjatë vitit 2024.

Kjo lëvizje u shfaq në Miçigan si formë proteste ndaj mbështetjes së administratës së atëhershme të presidentit Joe Biden për luftën e Izraelit në Gaza.

Por qëndrimet e El-Sayed kanë shkaktuar kundërshtime edhe mes disa demokratëve, të cilët po promovojnë një fushatë për të mos i dhënë votën në zgjedhjet e së martës.

Ndërkohë, organizata Beacon Coalition, e cila lufton antisemitizmin dhe ka marrë më parë financime pjesërisht nga Third Way, ka mbështetur kandidatin republikan Mike Rogers.

Third Way ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të këtij vendimi, nuk e financonte përpjekjen dhe nuk ishte dakord me mbështetjen e dhënë.

Pse Miçigani ka rëndësi për vitin 2028

Rëndësia e garës shtohet edhe nga pozicioni i Michiganit në kalendarin e zgjedhjeve paraprake presidenciale të demokratëve.

Shteti është bërë një nga ndalesat e hershme të procesit të përzgjedhjes së kandidatit presidencial, duke i dhënë peshë të veçantë zhvillimeve politike lokale.

El-Sayed ka shprehur ambicien që Michigan të marrë një rol edhe më të rëndësishëm në këtë proces.

Debati për drejtimin e partisë pritet të intensifikohet menjëherë pas zgjedhjeve të mesmandatit, kur figura të ndryshme demokrate do të fillojnë të pozicionohen për garën presidenciale të vitit 2028.

Përfaqësuesit progresistë e konsiderojnë El-Sayed një rast të rëndësishëm për të testuar mbështetjen ndaj politikave të tyre në një shtet konkurrues.

Centristët, nga ana tjetër, argumentojnë se zgjerimi i hartës elektorale kërkon kandidatë që mund të tërheqin votues përtej bazës tradicionale të partisë.

Për këtë arsye, rezultati i Miçiganit do të analizohet jo vetëm për ndikimin e tij në përbërjen e Senatit, por edhe për atë që mund të tregojë mbi preferencat e elektoratit dhe strategjinë e ardhshme të demokratëve.

Në një parti që ende kërkon një drejtim të qartë për epokën pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, Miçigan është kthyer në një nga arenat kryesore të debatit mes progresistëve dhe centristëve.


Video