Ashtu siç kishin paralajmëruar, një grup të rinjsh dhe studentësh u mblodhën mesditën e së shtunës përpara Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në këtë protestë të radhës nuk munguan djegia e koshave të mbeturinave para këtij institucioni dhe shkulja e kangjellave nga disa persona të maskuar, ndonëse të pakët në numër.
Pasi qëndruan për afro 2 orë, ashtu si herët e tjera, ata nisën marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Edhe këtu pati incidente të vogla, ku u dogjën kazanët dhe u bllokua për disa minuta qarkullimi te rrethrrotullimi te Zogu i Zi.
Nuk munguan shkuljet e tabelave të rrugës përgjatë marshimit të tyre nëpër rrugët e kryeqytetit, për t’u grumbulluar përpara Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit.
Ata qëndruan për disa orë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku incidentet ishin sporadike.
Ndërsa mes protestuesve dhe policisë nuk u shënua ndonjë përplasje.
Nuk kishte as autobotë të ujit përpara Kryeministrisë, që përdoren për shpërndarjen e turmave në rast të incidenteve.