
Ka përfunduar numërimi në 3 Bashkitë, Elbasan, Kamëz dhe Vorë ku u votua elektronikisht. Partia Socialiste ka fituar të treja bashkitë.
Kandidati i PS Gledian Llatja ka marrë fitoren në bashkinë Elbasan përballë kandidatit të Berishës dhe Luçiano Boçit me mbi 55% të votave.
Partia Socialiste ka fituar thellë në Kamëz, me 60.65 përqind të votave, ndërkohë që kandidati I Berishës ka marrë vetëm 35.11 % të votave. Edhe në Vorë Blerim Shera i PS ka marrë 74.3 përqind të votave ndërsa Indrit Hoxha vetëm 25.72 përqind.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit me anë të një reagimi shkruan se ka patur disa raste të votimit familjar në Elbasan, Berat, Dibër, etj.
KShH raporton se një votuese në Dibër ka fotografuar votën në dhomën e fshehtë, në Durrës ka patur përleshje fizike.
Njoftimi i Komiteti Shqiptar të Helsinkit:
Në orën 17:17, KShH vuri në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për disa nga rastet e votimit familjar ose të mosrespektimit të procedurës për dhënien e ndihmës ndaj zgjedhësve që nuk votojnë dot vetë.
Këto fenomene problematike sistemike janë vërejtur edhe në zgjedhjet e kaluara dhe shqetësues është fakti që Komisionerët e QV nuk shfaqin aftësitë e nevojshme për parandalimin e tyre dhe dokumentimin përkatës. Raste të tilla u vërejtën në Bashkinë Elbasan, Dibër, Berat, Pogradec, Tiranë, Malësi e Madhe, etj.
Një nga fotot ilustruese të votimit familjar i takon njësisë Administrative Zall Her në Bashkinë Tiranë, në QV nr.2061/00 (në dhomën e fshehtë nusja e djalit ndihmon vjehrrën e saj dhe nuk mbahet asnjë dokumentacion që vërteton ndihmën që i jepet dhe nëse ka arsye të veçanta për të mos votuar).
Një praktikë e kundërt është konstatuar për një zgjedhëse në moshë të re, me probleme të shëndetit mendor në Bashkinë Berat.
Kryetarja nuk e lejoi të ëmën për ta ndihmuar, pasi nuk kishte raport mjekësor dhe vetëm pasi ajo shkoi dhe e mori, e më pas paraqiti në KQV, u kryen procedurat për dhënien e ndihmës konform Kodit Zgjedhor.
Po në këtë bashki, në QV nr.3311, një zonjë me aftësi të kufizuara të shikimit është ndihmuar të votojë nga djali i saj pasi nuk ka pasur fletë të posaçme votimit. Procedurat e dhënies së ndihmës u respektuan pjesërisht nga Komisioni i Qendrës së votimit.
Në Bashkinë Dibër, një orë para mbylljes së QV 1142 u verifikua dhe raportua nga vëzhguesja e KShH, një votuese e cila ka fotografuar votën në dhomën e fshehtë. Komisionerët pretenduan se nuk e kanë vënë re po sipas vëzhgueses kanë patur mundësi ta shohin, për këtë arsye i është bërë vërejtje me shkrim. Vlen të theksohet, se në disa QV, pozicionimi I vëzhguesve në raport me dy dhomat e fshehta e pamundësonte shikimin e veprimeve në distancë sa i takon fotografimit potencial të votës. Kjo rreze shikueshmërie ishte e vështirë edhe për anëtarët e Komisionit pasi struktura e dhomës së fshehtë ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që dukej në mënyrë shumë të zbehtë pjesa anësore e krahëve të votuesit. Rrjedhimisht, nuk mund të kuptoheshin lëvizjet e zgjedhësit nëse potencialisht po fotografonte votën.
Në QV 1806/1, pranë Shkollës Bajram Curri (Bashkia Tiranë) një zonjë e minoritetit Rom me vështirësi ngjiti shkallët e godinës, pasi qendra ndodhej në katin e dytë, pasi u paraqit në Komision dhe u përmbyllën procedurat e verifikimit të emrit në listë, nënshkrimit, timbrosjes dhe marrjes së 2 fletëve të votimit, ajo shkoi drejt dhomës së fshehtë, votoi vetë, por kur doli dhe ju afrua kutive të votimit, u konstatua se nuk kishte palosur fletët e votimit. U ndihmua nga një prej anëtarëve për të palosur fletën, gjë që potencalisht cenoi fshehtësinë e saj të votës.
Në QV 1813/02 të vendosur në Fakultetin e Mjekësisë (Bashkia Tiranë) Vëzhguesit partiakë ishin pozicionuar ngjitur me kutinë e votimit, e cila në ndryshim nga QV ku kam qenë në të kaluarën nuk ishte në Qendër të KQV por ngjitur me murin. Një prej vëzhguesve ndihmonte zgjedhësit të fusnin fletët në kutitë e votimit, por nuk u cenua fshehtësia e votës, pasi fletët ishin të palosura.
Në ambientet e jashtme të QV 1598/01, në Bashkinë Kamëz, e vendosur në ambjentet e shkollës Ahmet Zogu, vërehet një numër shumë i lartë personash të paautorizuar të cilët qëndrojnë aty. Në momentin që vëzhguesi është futur brenda, një person i ka nxjerrë jashtë. Edhe në lokalet përballë ka shumë qytetarë të cilët afrohen herë pas here në qendër të cilët komunikojnë me persona afër QV-së. Në orën 18:38, KShH sinjalizoi sërisht Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve për situatën e verifikuar rishtaz në Shkollën Neim Babameto në Spitallë Durrës, ku rreth orës 17:30, është vënë sërisht re nga vëzhguesja e KShH në Durrës se mbështetësit e subjekteve të ndryshme zgjedhore vazhdojnë të jenë të pozicionuar në ambientet e jashtme të murit rrethues të shkollës që shërben si qendër votimi (duke u rikthyer pas shpërndarjes që ka bërë më herët Policia e Shtetit).
Më herët në këtë qendër pati përleshje fizike. Në tërësi, KShH i komunikoi KQZsë se Komisionet e Qendrave të Votimit janë shumë pasive për të verifikuar ambientet në korridoret dhe oborret e godinave ku janë vendosur personat e paautorizuar. Në foto ilustruese disa raste të konstatimit të personave të paautorizuar, pa bexha akreditimi, në ambientet e brendshme të oborrit rrethues ose të perimetrit të jashtëm, brenda rrezes së ndaluar prej 150 Metrash.
Në Bashkinë e Vlorës, rreth orës 17:00, janë vërejtur në afërsi të një lokali pranë QV 4490 - 4491/01 disa aktivistë partiakë që merren me listat zgjedhore, duke identifikuar qytetarët që kanë votuar.