Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka i bën thirrje Bashkimit Europian të caktojë një afat kohor paraprak për integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE, thirrje që vjen në një kohë kur Greqia po kërcënon Shqipërinë me bllokim të anëtarësimit lidhur me çështjen “Beleri”.
Xhaçka mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Quo Vadis Europa?” me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.
Gjatë fjalës së saj, në sesionin "Zgjerimi dhe Fqinjësia/ Ballkani Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian", Ministrja Xhaçka theksoi se kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë e zgjoi Bashkimin Evropian dhe e detyroi atë të mendonte strategjikisht sa i përket çështjes së zgjerimit.
“U desh një luftë, por sot BE-ja është e përqendruar si kurrë më parë dhe po tregon vullnet për të vepruar në mënyrë strategjike ndaj Ballkanit Perëndimor. Ka një ndryshim real në qasjen e BE-së ndaj rajonit, i cili mund të shpresojmë se do të zgjasë dhe do të bëhet konkret në të ardhmen”, u shpreh kryediplomatja shqiptare.
Ajo theksoi se BE duhet të japë një sinjal të qartë duke përcaktuar një afat kohor paraprak të integrimit të rajonit, gjë e cila sipas saj, do ofronte një kornizë dhe një objektiv të qartë se çfarë dhe kur duhet arritur.
“Shpresojmë që BE-ja do të punojë me ne për konvergjencën ekonomike dhe sociale sepse pa e ndihmuar rajonin të ngushtojë hendekun e zhvillimit që vitet e fundit është zgjeruar, vështirë se do ta arrijmë atë më tej në rrugën drejt BE-së. E fundit, por sigurisht jo më pak e rëndësishmja, dua të theksoj nevojën për mesazhe mbështetjeje dhe inkurajimi nga partnerët tanë evropianë dhe një angazhim nga ana e tyre se zgjerimi do të bazohet në merita”, tha Xhaçka.
Në konferencën e organizuar në Snatander të Spanjës marrnin pjesë liderë politikë nga shtetet anëtare të BE-së, Ukraina dhe vende të tjera kandidate, eurodeputetë, profesorë universiteti dhe ekspertë për çështjet më të rëndësishme gjeopolitike.