Vuçiç bojkoton Samitin e BE në Tiranë: Askush nga Serbia nuk do të shkojë në Shqipëri

1 Dhjetor 2022, 20:31Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama dhe Vucic

Serbia do të bojkotojë samitin e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor për shkak të, siç vuri ai në dukje, reagimit “të turpshëm” të BE-së për emërimin e Nenad Rashiçit si ministër në Qeverinë e Kosovës.

“Ju merrni rrogën tuaj ditore, udhëtoni me aeroplan, bëni shënime se si Serbia është fajtore për diçka, dhe nuk mund të gjeni asgjë për të cilën është fajtore Serbia. Nuk ka problem, vetëm bëni pa Serbinë, kështu që le të shohim se çfarë do të bëni dhe si”, tha Vuçiç për Pink.

Vuçiç reagoi me zemërim ndaj emërimit të kryetarit të Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, Nenad Rashiç, në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës.

“Jo vetëm që i kanë shkelur të gjitha normat e marrëveshjes së Brukselit, por edhe të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare dhe nuk e kanë dert sepse kjo është në interesin e një fuqie evropiane”, u medieve në Beograd presidenti serb, duke theksuar se zoti Rashiç nuk e ka besimin e askujt në Kosovë, “por e ka besimin e (kryeministrit) Albin Kurti dhe perëndimit dhe mendojnë se kësisoj mund të frikësojnë serbët”.

Ai përsëriti se Kosova është “shenjtëria më e madhe serbe”.

“Më mirë të mos jem sesa t’ua dorëzojë në duar. Dhe nuk do t’ua dorëzojë. Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë me 6 dhjetor”, tha ai, duke shprehur zemërimin me siç tha “reagimin e butë të Bashkimit Evropian” ndaj emërimit të Rashiç.

Ai iu referua një deklarate të zëdhënësit të BE-së për mediat serbe i cili citohet të ketë thënë se “është me rëndësi thelbësore që emërimet e ministrave të bëhen në pajtim më Kushtetutën e Kosovës. Në rastin konkret i bëjmë thirrje Kosovës të sigurohet që janë përmbushur të gjithë hapat procedural për emërimin e ministrit që përfaqëson bashkësitë jo shumicë”.

Emërimi i ministrit Rashiç u bë më pak se një muaj pas dorëheqjes se ish-ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe.

Më 6 dhjetor mbahet samiti i parë mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë.

Në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Europian thuhet se samiti është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë të BE-së.

Video