Vdekja e Kissinger, Rama: Lamtumirë bos

30 November 2023, 16:39Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vdekja e Kissinger, Rama: Lamtumirë bos
Henry Kissinger

Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Henry Kissinger.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama thotë se librat që Kissinger la pas, do të mbeten një pasuri e paçmueshme për njerëzimin.

Rama kujton edhe takimin me Kissinger, duke thënë se pati një ndër bisedat më të bukura që mban mend.

Kissinger u nda nga jeta në moshën 100 vjeçare. Ai mbahet mend për lidhjen e marrëdhënieve me Kinën, dhënien fund të luftës në Vietnam dhe nënshkrimin e traktateve të armëve me Bashkimin Sovjetik.

Megjithatë, Kissinger është kritikuar për mbështetjen e grushteve të shtetit në Kili dhe Qipro, si dhe për mbështetjen e qeverive opresive në Iran dhe Pakistan.

Mesazhi i Ramës:

LAMTUMIRË BOS

Librat Tuaj i mbeten njerëzimit si pasuria e paçmueshme e një eksperience dhe urtësie të rrallë, e do të jenë në dispozicion të kujtdo sot e gjithmonë, që do të dojë të aftësohet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe gjeopolitikën; balancat mes fuqive dhe realizmin politik në ruajtjen e paqes e në projektimin e rrugëdaljeve nga konfliktet ndërshtetërore; të menduarit strategjik dhe perspektivën afatgjatë të politikës së jashtme; rolin e shkencës joekzakte të historisë dhe rëndësinë e talentit të individit kur duhen marrë vendime përballë mjegullës së të nesërmes… Mua personalisht do të më mbetet edhe mirënjohja për kohën e çmuar që më kushtuat bujarisht, duke më dhuruar një ndër bisedat më të bukura që mbaj mend.

U prehshi në paqe


Video