Kryeministri Edi Rama ka mbërritur pasditen e kësaj të premteje në kryeqytetin e Serbisë, destinacioni i fundit i turit të tij ballkanik në kuadër të “Procesit të Berlinit”.
Kreu i qeverisë shqiptare pritet të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, me të cilin do të mbajë edhe një konferencë të përbashkët për mediat.
Më pas, Rama, Vuçiç dhe dy delegacionet do të marrin pjesë në një darkë pune.
Kujtojmë se mëngjesin e sotëm Rama ndaloi në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi ndërsa ditën e djeshme ai vizitoi Maqedoninë e Veriut dhe më pas në Kosovë.
Gjatë vizitave, Rama është takuar me krerët më të lartë të shteteve në vendet e rajonit, përveç kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili refuzoi ta takojë.
Rama tha se nuk është qejfmbetur nga Kurti, dhe se “nuk ka asnjë problem” personal apo profesional me të, përveç pikëpamjeve të ndryshme për të njëjtën ngjarje.
Nga Mali i Zi, ai e ftoi Kurtin të jetë i pranishëm në samitin që do të mbahet në Tiranë për “Procesin e Ballkanit”.