Ish-këshilltarja e Lulzim Bashës dhe tashmë anëtare e AMA-s, Desada Metaj ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e Jozefina Topallit si një prej 20 anëtareve të Kryesisë së re të PD-së.
Në një postim në rrjetet sociale, Metaj shkruan se ligji nuk ta lejon që të zgjidhesh anëtar Kryesie i një partie, nëse t'i rezulton kryetar i një partie tjetër, duke iu referuar Topallit e cila është kryetare e partisë "Lëvizja për Ndryshim" me të cilën hyri në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Metaj ironizon më tej duke u shprehur se është qesharake që disa po festojnë sot fitoren mbi regjimin e Edi Ramës.
“Të paktën dy arsye ligjore janë kusht që të zgjidhesh në kryesinë e një partie politike:
1. Zyrtarisht (pra në gjykatën e faktit) mos të rezultosh kryetare e një partie tjetër.
2- Të jesh po zyrtarisht anëtare e partisë që të ka zgjedhur në kryesi.
Por meqë kjo vlen për një vend normal më mirë mos ta kisha thënë më zë të lartë se dukem unë më qesharake se disa që po festojnë sot fitoren mbi regjimin e Edi Ramës” shkruan Metaj në postimin e saj.