Deputeti i PD-së Ervin Salianji ka thirrur sot në interpelancë ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi për situatën e rendit dhe sigurisë në vend, kriminalitetin dhe emigracionin e paligjshëm.
Salianji e nisi fjalën e tij në parlament me situatën e rënduar të rendit në vend duke theksuar se ngjarjet kriminale janë periodike në Shqipëri.
'Zoti ministër faleminderit që të gjetëm sot se të kemi shpallur në kërkim që prej një muaji. Jeni bërë si ju me policinë, i shihni kriminelët dhe nuk i kapni. Dhe ne të shohim këtu por nuk të kapim dot. Prej vitesh situate me kriminalitetin është rënduar.
Përditë shohim në media dhe në zonat tona si qytetarët na drejtohen me mungesën e sigurisë në këtë vend. Ndeshen me paaftësinë e policisë së shtetit dhe kjo reflektohet edhe te policët e thjeshtë. E kam kërkuar këtë interpelancë në fillim të shtatorit pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në rrugët kryesore.
Ngjarjet kriminale po ndodhin çdo ditë dhe policia i gjen vetëm kur kanë problem me njëri tjetrin. Kam disa pyetje. Një prej tyre është shqetësimi për trafikun e qytetarëve shqiptarë që mbushën gjatë gjithë verës gazetat kryesore britanike
Askujt nuk i vjen mirë, se sekretarja e Britanisë së Madhe tha se kishtë ëndërr që ti largonte emigrantët. A ka plan ministria që të luftojë krimin? A ka strukturë? Cilat janë masat që ka marrë qeveria për krimin? Ju keni deklaruar se Nano u shkarkua për shkak të mos përmbushjes së objektivit? Cilat janë këto objektiva? A ka një afat kohor? Cilat objektiva ka Rrumbullaku? Cilat objektiva i ishin caktuar Nanos? Dhe sot nuk kam një përgjigje nga ju', tha Salianji.