
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe kryeministri Edi Rama, patën një prononcim për gazetarët përpara takimit që zhvilluan kokë më kokë për 45 minuta në Washington.
“Në fillim të verës së kaluar, pasi njoftuam se do të largoheshim nga Afganistani ju ishit i pari që pranuat refugjatët afganë të evakuuar. Ajo që keni bërë është një nderim i madh, tregon bujarinë e Shqipërisë që ka hapur dyert për 2 mijë afganë. Unë jam mirënjohës për këtë, por edhe për punën që po bëjmë çdo ditë në Europë për sigurinë dhe lidhjet e ngushta që kemi veçanërisht përmes NATO-s. Gjithashtu siç thashë në KS të OKB, ku kemi shumë çështje sfiduese për të punuar së bashku. Është shumë mirë që jeni këtu, pres një bisedë shumë të mirë”, tha Antony Blinken.
“Faleminderit shumë zoti Sekretar është nder të jesh me ju. Sigurisht është gjithashtu një kënaqësi e madhe që ju shohim në fillim të vitit që shënon 100 vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike. Ato u ndërprenë brutalisht nga Shqipëria, duke shkuar në një drejtim tjetër për më shumë se gjysmë shekulli, por ja ku jemi sërish bashkë dhe e vlerësojmë si më të shtrenjtën këtë miqësi, këtë lidhje. Ne jemi shumë krenarë që jemi aleatët tuaj dhe do të bëjmë ç’mos për të ruajtur këtë miqësi të veçantë”, tha Edi Rama.


