Sherr në parlament në grupin e socialistëve, nuk miratohet asnjë propozim i Erion Braçes

11 Dhjetor 2025, 23:58Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Erion Braçe

Në Kuvend do të votohet sonte edhe projektligji i ri “Për Koncesionet”.

Por propozimet e deputetit socialist Erion Braçe janë rrëzuar nga kolegët e tij.  

Amendamentet e Braçes për deklarimin e pronarit përfitues dhe burimin e financimit u kundërshtuan nga të vetët duke krijuar kështu një krisje renda radhëve të socialistëve.

Sakaq, një tjetër propozim i Braçes që u rrëzua nga socialistët ishte që nga paqja fiskale të mos të përfitojnë koncesionet të llojit PPP. Deputetët e opozitës ishin pro propozimit të Braçes, por PS u rreshtua kundër.

Deputeti socialist Erion Braçe paralajmëroi para votimit se një rrezik i madh lidhet me praktikën e transferimit të kontratave nga kompanitë fituese te palët e treta, duke theksuar se kjo mund të prekë edhe sigurinë kombëtare.

“Ne kemi përvoja shumë të lidhura me transferimin e kontratave. Mjafton të vihet në vëmendje fakti që aeroporti i Rinasit në formën e vet origjinale menaxhohej nga një koncorsium perëndimor dhe që është dorëzuar në koncesion kinez, dhe ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Sidomos në fushën e energjisë që ka lidhje me gazin, naftë e të tjerë me radhë nuk kemi marrë mjaftueshëm investime në Shqipëri, me transferimin e kontratave nga aksionerë amerikanë në kinezë”, tha ndër të tjera Braçe.

Ligji i ri synon të ndalojë përfundimisht ofertat e pakërkuara, të heqë skemën e kontratave “1 euro” dhe t’i japë Ministrisë së Financave kontroll të plotë mbi studimet e fizibilitetit, projekt-kontratat dhe monitorimin periodik të PPP-ve.

 

 


Video