
Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur dyshime mbi veprimet e SPAK në lidhje me konfiskimin e pasurisë së deputetit të PD-së në Qarkun e Beratit, Kasëm Mahmutaj. Këtij të fundit iu konfiskua pasuria sot për shkak të vëllait të tij, Gazment Mahmutaj, i cili është dënuar në Itali për trafik droge dhe prostitucion.
I pyetur nga gazetarët mbi këtë çështje, Berisha tha se SPAK veproi dy ditë pasi Mahmutaj iu bashkua Komisionit të Rithemelimit dhe veproi në një ditë pushimi. Berisha e konsideroi SPAK-un si të partisë së kryeministrit Edi Rama.
“Kam dëgjuar lajmin aq sa keni dëgjuar edhe ju. Nuk kam asnjë gjetje tjetër. Por e ndjekim me vëmendje zhvillimin. Ajo që thoni ju është e vërtetë. Vendimi ka ardhur në një ditë pushimi dhe dy ditë pasi Mahmutaj iu bashkua Kuvendit Kombëtar të PD.. Por, duke qenë e qartë se SPAK është e partisë, ne do ndjekim më vëmendje çdo zhvillim, natyrisht jemi për zbatimin e ligjit. Ne jemi për zbatimin objektiv dhe të paanë të ligjit” – tha Berisha.