Afrim Gashi, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ka mbajtur një fjalim gjatë panelit të organizuar në kuadër të Samitit të Diasporës të organizuar në Tiranë.
Në fjalën e tij, ai tha se zgjedhjet nuk janë mesazhi më i mirë që vjen nga populli. Sipas tij, shteti ka dështuar nëse një i ri merr valixhet dhe largohet nga vendi.
Gashi apeloi gjithashtu për përgjegjësi më të madhe nga të gjithë aktorët politikë, duke theksuar se askush nuk duhet ta konsiderojë veten të amnistuar.
“Nuk janë zgjedhjet indikatori më i mirë, nuk janë zgjedhjet mesazhi më i mirë që na vjen prej popullit. Mesazhi më i mirë që na vjen prej popullit është a kemi mund ti ndalim të rinjtë të jetojnë në vendin e tyre?! Prandaj nëse sot një i ri ka marrë valixhet dhe po kërkon biletën për ta prerë në ndonjë kryeqendër evropiane, ta dini se politika dhe shteti ka dështuar atë ditë. Askush prej nesh nuk guxon ta shohë vetën të amnistuar”, tha Gashi.