Rama në samitin e KiE: Asambleja të tërheqë mbrapsht raportin e Dick Marty-t, u financua nga Rusia

17 May 2023, 12:50Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama në samitin e KiE: Asambleja të tërheqë mbrapsht
Rama në samitin e KiE

Kryeministri i vendit Edi Rama ndodhet në Islandë ku po merr pjesë në samitin e KiE-së. Ky samit dy ditor ka bërë bashkë udhëheqësit evropianë me qëllimin për të vënë Rusinë para përgjegjësisë së saj për luftën në Ukrainë.

Në fjalën e tij, Rama përmendi akuzat e hedhura ndaj Hashim Thaçit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në raportin e 2011-ës, i cili sipas kreut të qeverisë e pati zanafillën pikërisht në këtë këshill.

“Sot në samitin e Këshillit të Evropës nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit të saj Hashim Thaçit nisi saktësisht në Këshillin e Evropës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të këtij këshilli, Federatës Ruse.

Siç iu referua dhe Joe Biden, Uashingtoni i Kosovës gjykohet tanimë nga një gjykatë e ngritur dhe themeluar nga bota demokratike, por e mbështetur në një raport të 2011-ës të Këshillit të Evropës. I cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësuesit e Vladimir Putinit në asamblenë e Këshillit të Evropës. Akuza terësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u ngritën atëherë si pikënisja e një fushate kriminale të njollosjes së Shqipërisë dhe Kosovës.”

Rama theksoi se Asambleja e Këshillit të Evropës duhet ta tërheqë mbrapsht atë raport të turpshëm.

“Dhe kur dëgjova propagandën e Kremlinit të flasë për trafikim të organeve njerëzore mu duk sikur pashë presidentin Zelenskiy 10 vjet më vonë gjykuar nga një gjykatë e veçantë me të njëjtat akuza absurd. Ndjesë për këtë çelje brutalisht jo konvencionale që mund t’ju duket se në copa thyen atë piano ku në mënyrë të mrekullueshme u luajt Ave Maria e mikëpritësit tanë. Por, është tejet dekurajuese të dish që situata ku përfshihet presidenti i Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare pati zanafillën brenda Këshillit të Evropës. Do ndihesha fajtor e të heshtja apo mos flisja për sa vijon. Asambleja e KiE-së ka detyrimin moral të korrigjojë çdo gabim e në këtë rast duhet të tërheqë mbrapsht raportin që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë të trafikimit të organeve.

Të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot do të ishte më keq se sa të bëhej ky gabim i rëndë 12 vjet më parë ku shumë votuan me sy mbyllur atë raport të turpshëm. Sigurisht situata ka ndryshuar, Rusia nuk është më anëtare e këtij Këshilli edhe pse numri i rusëve që punojnë për Këshillin e Evropës është mjaft mbresëlëns. Shqipëria nuk ka pasur iluzione për natyrën e regjimit të Moskë dhe marrëdhënia jonë me Moskën ka qenë jo ekzistuese.


Video